Të paktën një e treta e llojeve të pemëve në të gjithë botën janë në rrezik zhdukjeje, paralajmëron një raport i ri. Studimi që zgjati pesë vite dhe mori në analizë 60 mijë lloje pemësh në të gjithë botën, evidentoi se 30% e tyre ose 17,500 janë në rrezik zhdukjeje.
Sipas raportit, i cili u përpilua nga më shumë se 60 partnerë institucionalë si kopshtet botanike, institucionet pyjore dhe universitetet si dhe mbi 500 ekspertë – 58% e pemëve vendase evropiane kërcënohen me zhdukje. Whitebeams dhe Rowan janë pemët më të kërcënuara në rajon.
Sidoqoftë, vendi me numrin më të madh të pemëve të kërcënuara është Brazili. Ky i fundit numëron 8,847 lloje pemësh në zhdukje, numri më i lartë në botë . Indonezia dhe Malajzia janë të dyja ndër 5 vendet kryesore të biodiversitetit në botë me 5.716 dhe 5.422 lloje pemësh respektivisht. Gati 25% e këtyre janë të kërcënuara.
Kërcënimi kryesor për pemët është bujqësia, e cila pasohet nga prerjet e drurit, blegtoria, urbanizimi dhe zjarri. Raporti thotë se ndryshimi i klimës është një kërcënim në rritje. Ndryshimi i temperaturave do të thotë që shumë pemë rrezikojnë të humbasin. Të paktën 180 lloje pemësh kërcënohen drejtpërdrejt nga rritja e nivelit të detit dhe ngjarjet e rënda të motit.
Humbja e pemëve është një shqetësim i veçantë pasi pyjet luajnë një rol të madh në ekosistemin botëror. Ato përbëjnë 50% të karbonit tokësor global dhe sigurojnë habitat dhe ushqim për miliona lloje të tjera, përfshirë kafshët, bimët dhe mikroorganizmat.
Burimi: Euronews