Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Turqia injoron kërkesat e partnerëve për lirimin e Kavalës

56473173_303

Në rastin e promovuesit të njohur të kulturës Osman Kavala, një gjykatë turke ka urdhëruar vazhdimin e mbajtjes së tij në burg. Gjykata turke nuk e ka respektuar vendimin e Këshilit të Evropës.

Një gjykatë në Stamboll hodhi poshtë kërkesën e mbrojtësve të Osman Kavalës për t’u liruar nga burgu. Gjykata caktoi një seancë të re për 21 shkurt. Por ky rast ka tensionuar shumë raportet mes Turqisë dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch e quajti vendimin e gjykatës “shumë zhgënjyes”. E ngarkuara e qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Luise Amtsberg, akuzoi Turqinë se ka shkelur detyrimet e saj sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “për vite me radhë” duke burgosur Kavalën. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë vazhdimisht se rasti është i motivuar politikisht dhe pjesë e një goditjeje kundër disidencës e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Qeveria në Ankara e hodhi poshtë këtë dhe siguroi se gjykatat turke janë të pavarura.

Katër vjen në burg pa vendim gjykate

Kavala mbahet prej më shumë se katër vjetësh në burg pa u dënuar nga ndonjë gjykatë me vendim të prerë. Biznesmeni 64-vjeçar u arrestua fillimisht me akuzën e financimit dhe organizimit të protestave anti-Erdogan në Gezi, në vitin 2013 në Stamboll.

Në shkurt të vitit 2020, një gjykatë e shpalli të pafajshëm nga kjo akuzë. Ai u lirua nga burgu, por u arrestua sërish vetëm disa orë më vonë – këtë herë në lidhje me tentativën për grusht shteti kundër Erdoganit në vitin 2016 dhe nën akuzat për spiunazh. Kavala i hedh poshtë akuzat e Erdoganit si shpifje dhe flet për “një sulm ndaj dinjitetit njerëzor”.

Ultimatumi i Këshillit të Evropës

Në tetor, dhjetë shtete perëndimore,duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete evropiane, kërkuan që Turqia ta lirojë Kavalën. Këshilli i Evropës më pas i caktoi Turqisë një afat për të liruar Kavalën deri të mërkurën ose duhet të paraqesë një justifikim “të saktë” për ndalimin e tij. Organizata tha gjithashtu se po përgatiste procedura kundër Turqisë për moslirimin e Kavalës. Kjo mund të çojë në pezullimin e anëtarësisë së këtij vendi në Këshillin e Evropës. Meqenëse Turqia nuk dëshiron të respektojë afatin, Këshilli i Evropës tani pritet ta nisë këtë çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 2 shkurt.

Ministria e Jashtme në Ankara tha se veprimet e Këshillit të Evropës janë “ndërhyrje” në një proces që po vazhdon. Por kritikët e qeverisë turke theksojnë se ky është vetëm një aspekt i shkeljes së të drejtave të njeriut nga pushteti i Erdoganit.

Javën e kaluar, Human Rights Watch kumtoi se Erdogani ka shënuar një rekord në shkeljen e të drejtave të njeriut në dekadat e fundit. Ai ka minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe ka përndjekur kritikët e tij./DW

Related Posts

Leave a comment