UFO-t, zbulime të reja?

S’ka asnjë dyshim se ekziston një pritshmëri e madhe mbi atë që do të bëjë të ditur Kongresi Amerikan brenda 25 qershorit në lidhje me fenomenet ajrore të paidentifikuara. Dhe kjo pasi ka shumë elementë, të cilët e kanë ushqyer muajt e fundit këtë pritshmëri.

E para është fakti se qysh prej vitit 2007,ka pasur një program të financuar fshehurazi nga Shtetet e Bashkuara për të kuptuar se çfarë mund të jenë fenomene të tilla. Sekreti i këtij programi u zbulua në dhjetor 2017nga gazeta amerikan “The New York Times”.

Pa sekrete

Pastaj në verën e vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Mbrojtjes, ngriti një task-forcë me qëllim “zbulimin, analizimin dhe katalogimin e shikimit të objekteve të çuditshme në qiell, të cilat mund të paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare”. Grupi i punës, inkurajoi kohët e fundit të dëshmojnë të gjithë ata që pretendojnë me pamje dhe foto se kanë parë diçka të çuditshme dhe të pashpjegueshme.

Ndërkohë në fund të vitit 2020, presidenti Donald Trump nënshkroi një dokument, ku i kërkonte Departamentit të Mbrojtjes dhe Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të paraqisnin një raport të paklasifikuar mbi ato që di qeveria mbi objektet fluturuese të paidentifikuara.

Jo vetëm fjalë

Në mars të këtij viti,Xhon Retklif ish-drejtori i inteligjencës kombëtare deklaroi në një intervistë për Fox News se “ka shumë më tepër pamje filmike sesa ato që janë bërë publike”. Dhe pastaj, qershia mbi tortë:në një dalje televizive ish-presidenti amerikan Barak Obama, pranoi praninë e “objekteve në qiell, të cilat ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë”.

Dhe të mos harrojmë 3 videot që u bënë publike që në vitin 2017, dhe që tregojnë objekte fluturuese që për pilotët e Marinës Amerikane janë të pashpjegueshme. Por ndërsa Pentagoni nuk arriti të shpjegonte se çfarë ishin ato objekte, një grup studiuesish të pavarur analizuan disa nga videot dhe dhanë një shpjegim më se të besueshëm se çfarë mund të jenë këto objekte.

A kanë lidhje armët hipersonike?

Thashethemet e pashmangshme në lidhje me raportin, sugjerojnë se ai përmban historinë e rreth 120 pamjeve të pashpjegueshme, pa asnjë provë se ndonjë prej tyre mund të jetë objekt alien. Pra, që të gjitha raste të pashpjegueshme, por jo aliene… Por kjo paqartësi ka nxitur shumë njerëz të thonë se qeveria amerikane nuk mund ta përjashtojë përfundimisht hipotezën, sipas së cilës fenomenet e vëzhguara nga pilotët ushtarakë, mund të prodhohen nga anije kozmike aliene.

Po sipas zërave të ndryshëm, raporti pranon se shumë prej fenomeneve të vëzhguara mbeten të vështira për t’u shpjeguar, sidomos nëse i referohemi përshpejtimit të disa prej këtyre objekteve, si dhe aftësisë për të ndryshuar drejtimin dhe zhytur në ujë. Shpjegimet e mundshme -sipas të cilave ato mund të jenë balona meteorologjike apo mjete të tjera kërkimore – nuk qëndrojnë për të gjitha materialet filmike.

Super-fuqitë

Për zyrtarët e inteligjencës amerikane, disa nga fenomenet e kataloguara mund të shpjegohen me teknologjitë eksperimentale të përdorura nga fuqi rivale si Rusia apo Kina:ndoshta  teknologjitë hipersonike. Në fakt, Rusia duket se ka investuar shumë mbi këtë teknologji duke supozuar se ajo është më superiore se sa teknologjitë amerikane të mbrojtjes nga raketat.

Edhe Kina gjithashtu duket se ka zhvilluar armë hipersonike, dhe madje i ka shfaqur ato në parada të ndryshme ushtarake.“Objekte të këtij lloji mund të jenë pamjet që janë parë shumë herë midis verës së vitit 2014 dhe marsit 2015 nga pilotët e marinës amerikane. Pra objekte që nuk kishin motorë të dukshëm apo shtëllungë që tregonte shkarkimin e gazrave të motorit, por që mund të arrinin deri në 9.000 metra lartësi me një shpejtësi hipersonike”- shkruan “The New York Times”.

Për aq sa dimë, nëse “objektet” do të ishin avionë kinezë ose rusë, atëherë rezulton se hulumtimi hipersonik i të dy vendeve, e ka tejkaluar shumë zhvillimin ushtarak amerikan. Dhe për këtë arsye amerikanët duan që ta mbajnë sekret këtë gjë,për të mos bërë një figurë të keqe?

Sigurisht, gjithçka është e mundur, por sinqerisht na duket e pamundur. Në fund na mbetet të presim raportin e plotë nga Kongresi Amerikan. Do të jetë e dobishme ta studiojmë, por nuk kemi asnjë iluzion:vështirë se do të gjejmë, qoftë edhe vetëm midis rreshtave, histori me disqe fluturues aliene të qytetërimeve shumë më të përparuara që kalojnë tranzit në Tokë. / Focus – Bota.al

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × five =