USAID financon projektin e Qendrës së re të Telemjekësisë në spitalin e Bajram Currit

Qytetarët e Bajram Currit dhe rrethit të Tropojës, dosage do të përfitojnë tashmë shërbimin të porsainstaluar të Telemjekësisë, si pjesë e programit të integruar të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik në Shqipëri, që është duke financuar nga USAID­-i, që nga vitit 2009.  Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në takimin që zhvilloi dje me mjekë, drejtues e punonjës të spitalit bashkiak të qyteti verior.

“Kjo ditë e rëndësishme, jo vetëm për Spitalin e Tropojës dhe banorët e këtij rrethi, po e përmbyll dhe bën realitet një ëndërr të kahershme, atë të kompletimit të rrjetit të telemjekësisë në të gjithë Shqipërinë. Tashmë, përmes këtij shërbimi, banorët e Tropojës dhe rrethinave, nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë me qindra kilometra për t’u konsultuar me mjekun specialist në spitalet rajonale apo qendrat universitare, por do ta marrin këtë shërbim me të njëjtën cilësi në Spitalin e Tropojës, dhe kjo falë kësaj teknologjie, që sjell mjekun pranë pacientit. Kjo është një shprehje e qartë e vëmendjes që Qeveria i kushton përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, sidomos, në përmbushje të angazhimit tonë për vendosjen e sistemit të Mbulimit Universal”, tha midis të tjerash në takim Ministri Beqaj, duke theksuar, se ky mbulim nuk do të ishte i vlefshëm, nëse nuk do të siguronte edhe Akses dhe Cilësi Univesale.

“Me kompletimin e qendrës së telemjekësisë në Tropojë mbyllim kapitullin e shtrirjes së programit të telemjekësisë në të gjitha zonat e Shqipërisë, dhe ashtu siç është parashikuar që në fazat e para të këtij programi, sot e kemi bërë Shqipërinë një kështjellë të telemjekësisë. Falë ndihmës së popullit Amerikan përmes USAID-­it, dhe ëndrrës tonë, tashmë telemjekësia është një realitet i prekshëm në Shqipëri dhe shtrihet në çdo skaj të vendit, nga Tropoja në Sarandë, duke siguruar një mbulim me rrjetin e telemjekësisë në të gjitha qarqet e vendit. Sot Shqipëria renditet ndër vendet me rrjetin më të kompletuar të telemjekësisë që integron të gjithë rrjetin e spitaleve publike, jo vetëm atyre rajonale, por edhe më tej”, tha dr. Rifat Latifi, Profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Arizonës, SHBA, dhe ideator dhe themelues i këtij programi.

“Ky program që sot po e përmbyllim në Tropojë krijon urat virtuale me të gjithë botën, ndërsa në planin rajonal, ndërton ura të prekshme dhe fizike midis Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit, Kukësit, Shkodrës e Tiranës, dhe gjithë Ballkanin për pacientët, mjekët dhe infermieret, të cilët nuk do të jenë të izoluar më në këtë pjesë të bukur të Shqipërisë, por do të jenë pjesë e diskutimeve dhe zhvillimeve akademike kudo në botë”­ theksoi Prof. Latifi.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 + 9 =