VOTIMI I NUMRAVE, SI LISTAT E GJENERALIT TË USHTRISË SË VDEKUR

Nga Xhovan SHYTI –

Mund të jetë më i thjeshtë teknikisht, mund të ndihmojë në mostejkalimin e afatit kohor, që ka vendosur si kusht kompania kroate, që ka marrë përsipër shtypjen e fletëvotimeve etj., por vendosja përfundimisht e votimit të numrave dhe jo emrave të kandidatëve garues, që përmban fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit 2021, të lë shijen e hidhur.

Madje-madje të bën të mendosh se gjithçka është pjesë e një strategjie të mirëstrukturuar, pjesë e lloj-lloj intrigave që po pjell psikika e drejtuesit të “rilindjes”, pra kryeministrit në detyrë Edi Rama, për të garantuar me çdo kusht mandatin e tretë qeverisës.

Një hamendësim ky i lindur, më së pari, pasi lloji i votimit me numra dhe jo me identitete të plota të kandidatëve garues për deputet është shumë larg objektivit për të realizuar 100% hapjen 100% të listave, qëllim kryesor ky për të cilin u votuan edhe ndryshimet më të fundit të Kodit Zgjedhor.

Së dyti, nëse në vend të numrave do të ishin rreshtuar identitetet e kandidave garues, çasti i hedhjes së votës në favor të njerit apo tjetrit kandidat do të ishte shumë herë më i thjeshtë, nga që edhe votuesi më injorant e me arsim modest, do të ishte në gjëndje ta gjente saktësisht vetë emrin e të preferuarit, pa ndihmën e askujt dhe pa u ngatërruar në shkurret çoroditëse që të nxjerr përpara fleta e votimit me numra që, për nga mundimi i gjetjes së kandidatit preferencial, të kujton peripecitë me identifikimin e eshtrave të listës së ushtarëve të vrarë në tokën shqiptare, që hiqnin gjeneralët e ushtrive të vdekura (fashisti dhe nazisti).

Në foto: Fleta e votimit me identitete te plota

Së treti, përveç këtyre një tjetër shije të hidhur që të ngjall fleta e votimit me numra dhe jo me emra-mbiemra lidhet me faktin se vërtetë kjo e fundit mund të shkurtojë paksa kohën e çastit të mbushjes së fletëvotimit, por rrit riskun e ngatërrimit lehtësisht nga votuesit të kandidatëve preferencialë. Duke  qenë precedent potent i shpalljes së më shumë votave të pavlefëshme apo dhe braktisje masive të procesit të votimit prej votuesve të lëkundur e që presin një shkak për ta ndërmarrë këtë hap fatkeq për të ardhmen politike të vendit.

Qëllimi ky që, mesa duket, është edhe qëllimi final i njeriut që kërkon me çdo kusht mandatin e tretë, për ta përdorur një dreq e di momentalisht për çfarë qëllimi. Sepse është e sigurt që ndërlikimi dhe këmbëngulja për të sajuar shtigje të reja, kur të sprovuarat e demokracive të qendrueshme janë të gatëshme dhe lehtësisht të adoptueshme, sikurse dhe këmbëngulja deri në marrëzi për një mandat të tretë veç për qëllim rilindjeje” nuk shërbejnë. Kurse janë fiks për çoroditjen e psikikës së votuesve, fshirjen e mëkateve dhe sistemimin e prapësive të lena pezull, gjatë dy mandateve të shkuara.

Çoroditja e votuesve e lindur nga matrikullimi i kandidatëve jo me emër mbiemër por me numra ka nisur të ndihet që tani… / Arberianews.net

THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianeës.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbërianeës.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

Shpërndaje:

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × two =