Çelet panairi i parë mbarëkombëtar i Librit Akademik

2 Minuta Lexim

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor ka nisur sot punimet në praninë e përfaqësuesve të enteve botuese, të institucioneve dhe të universiteteve publike. Ky panair do të mbahet për tri ditë (22-24 prill).

Nën simbolikën e dyfishtë të kësaj dite që përkon me përkujtesën botërore të librit, si edhe me vitin e akademizmit shqiptar, akademikë dhe botues nga e gjithë hapësira shqipfolëse, janë mbledhur rreth një tryeze të përbashkët për të nxjerrë në pah arritjet më cilësore në publikimet shkencore.

Ky aktivitet organizohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Krahas ekspozimit të literaturës shkencore në rang kombëtar, përmes ditëve të panairit synohet krijimi i një rrjeti kombëtar botuesish, që është parë si një medium për të lehtësuar lëvrimin dhe shkëmbimin e informacionit mes ekspertëve të disiplinave të shumta. Kësisoj, sinergjia në radhët e kastës së kërkuesve, të studiuesve, të pedagogëve dhe të lexuesve të specializuar, do të mund të kontribuojë në mbarëvajtjen e kërkimit akademik.

Promovimet e botimeve akademike do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur dhe me mundësi diskutimi. Ky aktivitet, që zhvillohet në kuadër të veprimtarive për 50-vjetorin e themelimit të ASH-së, është bërë i mundur edhe falë bashkëpunimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull