Në prag të festës së Kurban Bajramit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Përmes një videomesazhi, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu theksoi se Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame që përcjell mesazhin e paqes dhe solidaritetit.
Sipas tij, Kurbani është pajtim, ndërsa apeloi për falje me njëri-tjetrin.
Ai u shpreh:
Bismilahi-Rrahamini-Rrahim! Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbëres. Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.) Të dashur qytetarë, nesër, më datë 20 korrik 2021, është festa e Kurban Bajramit. Allahu i Madhërishëm në suren Kevther në Kuran thotë: “Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”
Ndërsa në suren En’nam na kujton: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”
Të dashur besimtarë, edhe pak orë na ndajnë nga festa. Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atëkohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës heroike Haxhires.
Kurbani na dëshmon se, sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punë të pëlqyeshme te Zoti, nëse duam të përfitojmë mëshirën dhe faljen e të Gjithëmëshirshmit absolut, Zotit të gjithësisë.
“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë.
Ky Bajram na jep mesazhin që, për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria. Therni Kurbanin nesër, kushdo që ka mundësi, dhe ndajeni atë me njerëzit në nevojë. Kjo vërtetë është një punë e pëlqyeshme të Zoti.
Kurbani është mesazh paqe, përhapeni atë.Kurbani është gëzim për fëmijët, gëzojini ata me dhurata. Kurbani është solidaritet, jini solidarë në bajram e në çdo ditë. Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona. E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin. Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!
Amin!