Evropa dhe Ballkani/ Rihapje e Kutisë së Pandorës?

9 Minuta Lexim

Nga George A.PAPANDREOU -*

Gati 20 vjet më parë, në vitin 2003, e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor dukej shumë e sigurt:Këshilli Evropian sapo kishte miratuar Agjendën e Selanikut. Ajo ishte një udhërrëfyes i ri dhe gjithëpërfshirës, ​​e bazuar në standarde konkrete, që synonin t’i drejtonin vendet e rajonit në mënyrë të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mundësia e anëtarësimit në një familje të përbashkët me vlera evropiane, siguroi entuziazmin dhe shtysën e nevojshme për ndryshim në këto vende. Po ashtu ajo gjeneroi shpresën se më në fund rajoni do të kishte paqe të qëndrueshme, duke zëvendësuar konfliktet e përgjakshme, dhe sedo të mbretëronte sundimi demokratik i ligjit, duke zëvendësuar autoritarizmin, persekutimin e pakicave dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Zhvillimi do të ishte synimi i përbashkët që do të bënte bashkë ish-armiqtë në një kaleidoskop të bukur të larmisë etnike dhe traditave. Ai vizion supozohej si jepte fund  tragjedisë ballkanike të viteve 1990. Por që nga ajo kohë,BE-ja ka bërë shumë pak dhe shumë vonë.

Ndërsa Sllovenia u bë anëtare e BE-së në vitin 2004, Kroacia ishte e fundit e rajonit që iu bashkua unionit në vitin 2013. Dhe ndonëse Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat e pranimit, dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë dritën jeshile për t’i nisur ato, ende nuk ka asnjë datë konkrete.

Pasoja është humbja e shkëlqimit të atij vizioni. Në vend të tij, është rishfaqur nacionalizmi. Dhe kjo tendencë nuk është vetëm në Ballkan. Një ringjallje e ndjenjës nacionaliste dhe ksenofobike është vënë re në shumë cepa të Evropës, por edhe në botë, ndoshta për arsye të ngjashme:dështimi i bashkëpunimit global për të trajtuar në mënyrë efektive çështjet e pabarazisë dhe mbrojtjes sociale, lëvizjet e popullsisë, krizat shëndetësore dhe mjedisore.

Gjithsesi,në rastin e Ballkanit Perëndimor, ekziston një dallim i rëndësishëm. Plagët e konfliktit të përgjakshëm janë të freskëta. Dhe rikthimi tek nacionalizmi dhe marrëdhëniet cinike transaksionare, një detyrë shumë e lehtë për demagogët, rrezikon që t’i rihapë këto plagë dhe konflikte.

Prandaj nuk është e habitshme që po shohim një gjeopolitizim të rajonit. Ndërsa perspektivat e anëtarësimit në BE janë të zbehta, është e kuptueshme që aktorët rajonalë po kërkojnë aleanca të reja, mbështetje dhe investime. Dhe në vetvete, kjo qasje nuk mund të dënohet. Pavarësisht nëse është Rusia, Kina apo lojtarë të tjerë nga Lindja e Mesme, ndërtimi i lidhjeve të reja është pjesë e gjeopolitikës. Por në rajon do të shohim së shpejt aleanca konkurruese,të cilat mund t’i përkeqësojnë më tej përçarjet dhe konfliktet.

Nga ana tjetër është joshëse të largohesh nga rruga evropiane në favor të ecjes vetëm përpara (si Britania e Madhe) me shpresën e rezultateve më të mira dhe më të shpejta (sidomos në ekonomi).Por përtej brishtësisë së këtyre ekonomive, tanimë të rënduara edhe më tej për shkak të pandemisë, ne mund të shohim sfidimin e fortë të vlerave të demokracisë evropiane, dhe minimin e vizionit të një Ballkani të unifikuar rreth këtyre vlerave.

Për këtë arsye BE-ja duhet ta kuptojë se asgjë nuk mund të merret më si e mirëqenë. Gjatë javëve të fundit kanë qarkulluar 2 dokumente “jozyrtare”, njëri slloven dhe tjetri franko-gjermane”. Ato duket se i nënvlerësojnë rreziqet, dhe mund të rihapin sërish “Kutinë e Pandorës” në Ballkan.

Autorët e këtyre dokumenteve, duket se janë të zhgënjyer nga problemet kronike që i ka sjellë rajonit shpërbërja e Ish-Jugosllavisë. Por rreziku i dokumenteve të tilla të shpërndara gjerësisht, është se ato duan të “përfundojnë shpërbërjen e ish-Jugosllavisë”. Çfarë nënkuptojnë ata me këtë?

Në thelb, ata propozojnë që të finalizohet shpërbërja e Ish-Jugosllavisë përmes ndryshimeve të reja të kufijve dhe shkëmbimeve territoriale. Në fakt ata duan të vazhdojnë atje ku e lanë luftërat në ish-Jugosllavi, dhe të promovojnë më tej shtetet mono-etnike apo “etnikisht të pastra”.

Por ky ka qenë edhe ishte problemi thelbësor i shpërbërjes së federatës. Shtetet etnikisht të pastra janë një distopi. Ato nuk ekzistojnë në realitet. Edhe kur Jugosllavia u nda në vitet1990 spastrimi etnik u krye pjesërisht përmes masakrave.

Përfundimi i kësaj pune është filozofia që qëndron pas këtyre letrave. Është e panevojshme të thuhet, këto skenarë janë një recetë për katastrofë, pasi nëse merren seriozisht, ato mund të shkatërrojnë të gjitha ato që kemi arritur së bashku, në lidhje me të drejtat e njeriut dhe ato demokratike në rajon që nga mesi i viteve 90.

Kjo nuk është hera e parë që diskutohet ideja e ndryshimeve territoriale në rajon. Gjatë verës së vitit 2018, ideja e shkëmbimeve territoriale midis Kosovës dhe Serbisë u diskutua midis disa qarqeve në Bruksel dhe në Uashington. Reagimet e forta nga palë të ndryshme, i ndalën të gjitha diskutimet, por u duk se kjo ishte e përkohshme.

Shumëkush mendon se si mund të jenë dakord me një propozim të tillë udhëheqësit e BE-së. A është zgjidhja e konflikteve tona rishikimi i kufijve, sipas linjave etnike? Kjo lloj “zgjidhje përfundimtare”përfaqëson ksenofobinë më të keqe populiste.

Ajo minon çdo ndjenjë të bashkëjetesës në Gadishullin Ballkanik, dhe mbart ngjyrime të tmerrshme për diversitetin dhe tolerancën në një Bashkim Evropian etnikisht të larmishëm.

Ne në BE kemi përgjegjësinë kolektive që të flasim me zë të lartë dhe të qartë, dhe t’i japim fund këtij debati.

Duhet kuptuar se është në fakt apatia e BE-së në rajon që nga viti 2013, ajo që ka lejuar rishfaqjen e skenarëve të tillë vdekjeprurës. BE mund të jetë ende partnerja kryesore tregtare e Ballkanit Perëndimor me më shumë se 75 për qind të volumit tregtar në total.

Por debati i përsëritur mbi ndryshimet territoriale në Ballkanin Perëndimor e minon stabilitetin dhe të ardhmen e një rajoni të sfilitur, që tani dëshiron të shkojë përtej këtyre konflikteve. Ne në BE nuk mund të veprojmë më si njerëz të përgjumur, që presin pasivisht shpërthimin e dhunës.

Strategjitë më miope dhe vetë-shërbyese të disa vendeve anëtare, qasjet jo-liberale dhe autoritare, dhe përllogaritjet e vogla politike për të grumbulluar mbështetje përmes frikës dhe ksenofobisë, nuk mund të jenë rruga përpara për punët e papërfunduara në Ballkan.

Është sërish e nevojshme një qasje e bashkërenduar dhe dinamike ndaj rajonit, e bazuar në vendimet e Samitit të Selanikut të vitit 2003. Një qasje që të sjellë një strategji konkrete për Ballkanin, një rajon që nuk duhet të zhytet kurrë më në konflikte.

Prandaj, ne propozojmë një ri-kalibrim të politikës sonë, dhe një strategji të ripërtërirë mbi Ballkanin Perëndimor. Ajo mund të zhvillohet si një “Konferencë e BE-së mbi Ballkanin Perëndimor”, ku të diskutohen hapur sfidat e reja për rajonin, dhe të hartohet një plan gjithëpërfshirës me qeveritë e rajonit.

Në vend se të brohorasim për shoqëritë “etnikisht të pastra”, ne duhet të ringjallim vizionin e një Gadishulli Ballkanik të bashkuar përmes vlerave Evropiane dhe traditave demokratike, ato që na frymëzojnë të jetojmë së bashku, duke respektuar njëri-tjetrin dhe duke u gëzuar me bukurinë e diversitetit tonë. Popujt e Ballkanit do ta mirëpresin këtë qasje vetëm nëse BE-ja e përdor edhe një herë potencialin e saj, duke qenë në lartësinë e sfidave dhe duke udhëhequr përmes vlerave të saj.

Shënim: George A.Papandreou, ish-kryeministër i Greqisë, është presidenti aktual i Internacionales Socialiste.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull