Fauci jep alarmin për rritjen e rasteve me variantin Delta

3 Minuta Lexim

UASHINGTON – Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, dha një alarm të ri të dielën lidhur me rritjen e rasteve të koronavirusit në vend, veçanërisht në ato rajone ku njerëzit kanë refuzuar të vaksinohen edhe ndërsa varianti “Delta” po përhapet me shpejtësi.

“Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar”, tha zoti Fauci në një program të kanalit televiziv CNN. “Pesëdhjetë përqind e vendit nuk është vaksinuar. Ky fakt përbën problem. Ne po e vëmë veten në rrezik”, tha Anthony Fauci, këshilltari i lartë mjekësor i Presidentit Joe Biden.

Në Shtetet e Bashkuara, shtrimet në spital dhe vdekjet janë shumë poshtë shifrave kulmore të arritura dimrin e kaluar. Por numri i infeksioneve të reja është rritur ndjeshëm në disa pjesë të vendit ku skepticizmi për nevojën e vaksinimit, siguria e vaksinave dhe rezistenca ndaj sugjerimeve të qeverisë për t’u imunizuar mbeten një pengesë e fuqishme.

Më shumë se 51,000 infeksione të reja u regjistruan në Shtetet e Bashkuara të shtunën, një rritje prej 172% gjatë dy javëve të fundit, ndërsa më shumë se 250 vdekje kanë ndodhur çdo ditë gjatë kësaj periudhe.

Qeveria thotë se deri tani më shumë se 162 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, ose 49% e popullsisë së vendit – gati 60% e të rriturve.

Por sondazhet kanë treguar se rreth 80% e amerikanëve të pavaksinuar thonë se nuk do të vaksinohen duke mos marrë parasysh paralajmërimet që po bëjnë zyrtarët.

Shumë politikanë konservatorë më parë kishin përkrahur një qasje më të kujdesshme ndaj vaksinimeve ose kishin deklaruar se vaksinimi ishte një çështje zgjedhjeje personale. Tani disa prej tyre po shprehin irritim ndaj atyre që nuk pranojnë të vaksinohen.

Guvernatorja republikane Kay Ivey nga shteti i Alabamës iu drejtua javën e kaluar të pavaksinuarve: “Këta njerëz po zgjedhin një mënyrë jetese të tmerrshme”, tha ajo.

Një guvernator tjetër republikan, Asa Hutchinson i shtetit Arkansa, ka bërë thirrje prej kohësh për vaksinime në shtetin e tij jugor, por ky shtet ka ende një nga nivelet më të ulëta të imunizimeve. Dy adoleshentë vdiqën kohët e fundit nga COVID-19 në shtetin e tij.

“Këto janë kambana alarmi,” i tha ai rrjetit CNN. Megjithatë, ai vuri në dukje, “se rezistenca (ndaj imunizimeve) është shtuar”.

Por zoti Hutchinson shprehu optimizëm se të pavaksinuarit do të ndryshojnë mendimin.

“Njerëzit mund të ndryshojnë rezistencën e tyre,” tha ai. “Këtu duhet të përqëndrohemi”.

Zoti Fauci tha se personat e vaksinuar “janë shumë të mbrojtur”, përfshirë edhe kundër variantit Delta./VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull