Gazetarët e Ballkanit të shqetësuar pas incidentit në Tiranë: Solidarizohemi me kolegët tanë, kërkojmë dënim

4 Minuta Lexim

Reagimi i ‘Safe Journalist’

Policia shqiptare sulmoi dy gazetarë në Tiranë

Policia shqiptare, në Tiranë, më 27 korrik, në ora 12:30, administroi Ergjys Gjencaj, një gazetar i kanalit televiziv “News 24”, dhe shtyu kolegen e tij Klodiana Lala pasi nuk arriti të ndalonte një kriminel të dyshuar.

Disa oficerë policie, pa uniformë, ndaluan makinën e të dyshuarit të tyre por nuk arritën ta administrojnë atë. Në të njëjtën kohë, një makinë me logot e kanalit televiziv “Neës 24” mbërriti në vendin e ngjarjes dhe gazetarët Gjencaj dhe Lala dolën nga automjeti.  Pasi oficerët nuk arritën të arrestonin të dyshuarin, ju kundërvunë gazetarëve. Në një prej videove të ngarkuara në internet shihet se oficeri i policies kap telefonin e Gjencajt, i cili është rrëzuar në tokë. Ndërsa Lala filloi të protestonte, një individ me veshje civile që besohet të jetë një oficer policie e shtyu atë.

Gjençaj i tha BIRN se policia e mbajti të shtrirë përtokë për shumë minuta me rradhë dhe se njëri prej oficerëve i kishte kontrolluar xhepat.

“Kam njëzet vjet punë si gazetar dhe nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë,” tha Gjencaj.

Lala, një reportere e njohur e krimit, tha se ata të dy rastësisht ishin në vendin e ngjarjes kur u bë përpjekja për arrestim. “Unë i thashë policëve se personi që kishin ndaluar është gazetar dhe automjeti me të cilin ne udhëtonim ishte me logo mediatike nga të gjitha anët,” tha Lala.

Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Tiranës konfirmoi se në bashkëpunim me Shërbimin e Punëve të Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme, ata po kryejnë verifikime në lidhje me incidentin.

Kjo nuk është hera e parë që gazetarët janë shënjestër e sulmeve nga Policia në Shqipëri. Në vitin 2020, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) raportoi 7 raste të tjera të ndalimit ose administrimit të padrejtë të Policisë mbi gazetarët gjatë raportimit në detyrë.

Blerjana Bino, studiuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) në Shqipëri, tha se “sulmet aktuale ndaj gazetarëve ndërsa raportojnë nga vendi i ngjarjes po rrezikojnë të bëhen një normalitet i ri në Shqipëri ndërkohë që oficerët e Policisë nuk tregojnë asnjë ndjeshmëri ndaj detyrës së gazetarëve për të raportuar ngjarjet dhe për të informuar publikun”.

“Zakonisht, këto incidente dënohen nga autoritetet, por pasohen nga hetime të kufizuara dhe jo të hollësishme ku ka mungesë transparence në lidhje me përparimin e tyre kundrejt sulmeve ndaj gazetarëve”, tha ajo.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe dënon sulmin ndaj ekipit televiziv. Ne kërkojmë dënim të qartë të këtij sulmi ndaj gazetarëve nga zyrtarë të Policisë së Shtetit. Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) gjithashtu pret që autoritetet në Shqipëri të drejtojnë një hetim transparent mbi këtë çështje.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) do të informojë të gjithë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare mbi rastin.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgorica – Prishtina – Sarajevë – Zagreb, 28/07/2021.

Në emër të:

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull