Kalaja e Beratit është një nga atraksionet e preferuara turistike në Shqipëri. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare shkruan se kalaja është gjallëruar nga vizitorët në zbulim të historisë dhe arkitekturës, ndërsa ka publikuar dhe foto të saj. Beratit është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit. Kalaja e Beratit është ngritur në një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së lumit Osum.
Fillimisht, një vendbanim protourban, në shekullin VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndësishme, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1.400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha. Burimet historike dëshmojnë se prej këtij viti kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme. Në dokumente të ndryshme historike të kohës gjenden një sërë emrash.
Me emrin e lashtë Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve). Në të kaluarën siguria e kësaj kështjelle ka qenë maksimale, sepse projektuesit e saj e ndërtuan pikërisht në këtë kodër ku ana jugore bie thikë mbi Osum, anët lindore dhe perëndimore kanë pjerrësi të madhe ndërsa në anën veriore kodra ulet drejt qafës së Biftës, duke siguruar komunikimin. Brenda sipërfaqes së kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive (Xhamia e Kuqe dhe Ak Mesxhid), sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj.
Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborrit të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, baçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala. Gjithsej ky monument ka katër porta komunikimi. Njëra prej tyre dhe pikërisht ajo që paraqet më shumë interes për shkak të elementeve përbërës të saj është ato e anës juglindore.