Kompania po i jep dorën e fundit punimeve/ Vendimin e Gjykatës së Lartë për HEC-et në Valbonë e merr lumi

7 Minuta Lexim

Makineritë e rënda dhe punëtorët e hekurit të kompanisë “Gener 2” po i japin dorën e fundit punimeve në dy hidrocentralet e kundërshtuara ashpër mbi lumin Valbonë, ndonëse Gjykata e Lartë vendosi një javë më parë pezullimin e tyre.

Në qendrën e kantierit në Dragobi, punëtorët vazhdonin të patrazuar punën të martën më 27 korrik, ndërsa automjetet e tonazhit të rëndë ngrejnë re të dendura pluhuri teksa transportojnë materiale të ndryshme drejt digës.

Banorë të Dragobisë i thanë BIRN se punimet vazhdojnë edhe në tunelin e Çeremit dhe se ata kanë pak shpresë se vendimi do ta ndryshojë situatën në terren.

“Deri tani asgjë. Furgoni i linjës me punëtorë ka shkuar në kantier. Deri sa të shoh policinë që të vendosë shiritat e bllokimit, unë nuk besoj,” tha Shkëlzen Metalia, banor i fshatit Dragobi dhe një ndër aktivistët kundër ndërtimit të HEC-eve.

Pas një beteje 6-vjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, banorët e zonës korrën një fitore të vonuar më 21 korrik, kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia dhe Çeremi.

Vendimi u mor 5 vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh dhe shoqata “Toka” –kohë kjo e mjaftueshme për ndërtimin e HEC-eve dhe nisjen e prodhimit të energjisë nga njëri prej tyre.

Vendimi i Gjykatës së Lartë kundërshtohet nga përfaqësuesit e kompanisë koncesionare, të cilët i thanë BIRN se do të vazhdojnë punën.

“Vendimi do të kundërshtohet. Ne do vazhdojmë punën,” tha sfidues Bajram Bashukaj, që u prezantua si financier i kompanisë “Gener 2” në zonën e Valbonës. “Kemi tre muaj që shesim energji dhe për këtë disponojmë të gjitha faturat,” shtoi ai.

Fatura e drejtësisë së vonuar

Ibrahim Demiri nga fshati Dragobi e Tropojës. Foto: Bashkim Shala.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe gëzon mbrojtje të veçantë ligjore. Por pavarësisht statusit të mbrojtjes, qeveria shqiptare ka firmosur ndërtimin me koncesion të dy HEC-eve në Valbonë, duke nxitur një betejë 6-vjeçare të banorëve të zonës dhe një seri padish gjyqësore.

Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ishte i vetmi që pezulloi punimet si masë paraprake, deri në shqyrtimin e themelit të çështjes. Në qershor 2018, Gjykata Administrative e Apelit pranoi kërkesën e protestuesve për pezullim të punimeve. Por në një vendim të paprecedentë, pezullimi u rrëzua nga Gjykata e Faktit të Tropojës.

Ibrahim Demiri, banor i Dragobisë dhe mësues në pension i tha BIRN se punimet intensive për ndërtimin e HEC-eve i kishin dhënë tashmë efektet negative mbi mjedisin.

“Në Valbonë si pasojë e ndërtimit të HEC-eve është shkatërruar flora, fauna dhe ekosistemi. Lumi Valbonë ka qenë lumi më i pastër thuajse në botë. Tani nuk është më,” tha me keqardhje  Demiri, duke iu referuar inerteve të hedhura në lumë.

Aktivisti Metalia është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës së mbrojtjes së Valbonës, ndërsa pranon se banorët janë tashmë më të përçarë se 6 vjet më parë. Metalia i tha gjithashtu BIRN se personalisht kishte pasur përndjekje dhe oferta për të hequr dorë nga protesta.

“Mënyra se si kanë hyrë firmat ndërtuese në katundin tonë Dragobi është e poshtër. Në mënyrë mafioze ka hyrë firma në katund, me emra  të vdekurish,” tha Metalia, duke iu referuar pretendimeve për falsifikimin e firmave.

“Jam thirrë pesë herë në polici. Unë do flas gjithnjë, më kanë lutë të mos flas. Më kanë ofruar edhe para,” shtoi ai.

Shkëlzen Metalia, banor dhe aktivist në mbrojtje të lumit Valbona. Foto: Bashkim Shala.

Alfred Selimaj është ndër të paktët operatorë turistikë në Valbonë që u është bashkuar aktivistëve dhe banorëve të Dragobisë e Luginës së Valbonës në mbrojtje të lumit. Ndonëse është dyshues për efektin e vendimit të Gjykatës së Lartë, ai shpreson që së paku kjo do të ndërgjegjësojë mbrojtjen e mjedisit në zona të tjera të vendit.

“Valbona është për turizëm, jo për HEC-e . Prioritet numër një është turizmi,” ankohet Selimaj.

Njësoj si Metalia, edhe Selimaj thotë se është bërë objekt i presioneve, por nuk është tërhequr.

“Më kanë bërë presion përmes INUK, AKU-së. I kam paditur në gjykatë. Disa çështje i kam fituar, disa i kam në proces,”, tha Selimaj, pronar i  kompleksit turistik  “Rilindja”.

Bajram Bashukaj, punonjës i kompanisë “Gener 2” i relativizon ankesat e banorëve, ndërsa thotë se derdhja e ujërave të zeza e dëmton lumin shumë më tepër sesa HEC-et.

Ai shtoi gjithashtu se kompania ka punësuar dhjetra banorë të zonës së Tropojës gjatë fazës së ndërtimeve dhe se anulimi i koncesionit do të ishte një faturë e rëndë për shqiptarët.

“Po përmend vetëm dy zëra kryesorë punimesh, pa pasur nevojë të them të tjerat.  Janë shtrirë rreth 8 mijë metër kabëll elektrik. Janë hapur  5200 metër  tunel,” tha Bashukaj për BIRN.

“Nëse një gjë e tillë ndodh [anulimi], kjo do ishte një faturë e rëndë për shqiptarët, madje më e rëndë se ajo me Francesco Becchetin,” përfundoi ai.

Uji i futur në tuba nga Çeremi dhe që furnizon me ujë HEC-in “Dragobia 1”. Foto: Bashkim Shala.

Puna në kantierin e kompanisë Gener 2 vazhdon edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Foto: Bashkim Shala./Reporter

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull