Policia kufitare e Korçës në bashkëpunim me FRONTEX kanë shpëtuar ditën e sotme dy shtetas siriane që kishin humbur rrugën.
Bëhet fjalë për dy shtetas sirianë, babë e bijë, të cilët kishin humbur orientimin në malin e Moravës dhe policia i gjeti pas disa orësh kërkim.
Njoftimi:
Policia Kufitare në bashkëpunim me shërbimet FRONTEX-it, Komisariatet e Policisë Devoll dhe Korçë, ju vijnë në ndihmë dy shtetasve të huaj të cilët kishin humbur rrugën në terren të vështirë.
Pas marrjes së njoftimit se në një terren malor në malin Moravë, mbi fshatin Dishnicë, Korçë, një vajzë e mitur siriane kishte humbur rrugën së bashku me babain e saj, forcat e policisë në bashkëpunim me shërbimet FRONTEX-it, menjëherë janë nisur drejt zonës së raportuar për të verifikuar rastin.
Pas disa orë kërkimesh, forcat e policisë nga informacionet e grumbulluara, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës, bënë të mundur gjetjen e dy shtetasve, vajzës së mitur 11-vjeçare dhe shtetasit M. A., 28 vjeç, banues në Siri, emigrantë të paligjshëm.
Dy shtetasit e huaj janë transportuar në Spitalin e Korçës për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë falënderuar shërbimet e policisë, FRONTEX-it dhe banorët për ndihmën e ofruar ndaj tyre.