KUR KA HYRË NË SHQIPËRI VARIANTI “DELTA?”

3 Minuta Lexim
Nga Erion DASHO * –
Midis mesit të qershorit dhe javës së parë të korrikut, Shqipëria kaloi një periudhë ku numri i rasteve ditore me COVID mbeti në vlera njëshifrore. Gjatë 23 ditëve u regjistruan 85 raste me COVID për një mesatare më pak se 4 raste në ditë.
Ndërkohë, në katër ditët e fundit janë diagnostikuar 43 raste (mesatare ditore prej gati 11 raste në ditë ose rritje trefish), madje ditën e mërkurë dhe të premte u raportua një numër dyshifror rastesh (13 dhe 15 të tillë). Paralelisht, numri i rasteve aktive që para disa ditësh ishte ulur nën 50, sot është 81, pra një rritje me mbi 60%. Numri i personave të shtruar në spital u rrit nga 1 para 10 ditëve, në 6 sot.
Përkeqësimi i parametrave të mësipërm ka vetëm një shpjegim, rastet e importuara si pasojë e ardhjes së turistëve dhe emigrantëve. Me siguri, kjo i dedikohet edhe qarkullimit prej javësh të variantit delta të virusit, ndonëse kjo u pranua vetëm me gjysmë zëri nga ana e autoriteteve shqiptare të shëndetësisë.
Si rezultat i imunitetit të grupit të arritur tashmë në Shqipëri, vatrat e krijuara nuk mund të krijojnë një “valë” të re apo “shpërthim” të ri të epidemisë, por ato janë të rrezikshme për individët e ekspozuar. Në rastin e variantit delta, përvoja botërore ka treguar se edhe të rinjtë e fëmijët janë të rrezikuar.
Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë është se imuniteti i grupit mbron nga shpërthimet epidemike, por nuk mbron individët pa imunitet në rast ekspozimi. Nëse nga 2.8 milion banorë që ka Shqipëria, rreth 2 milion e kanë kaluar COVID-in dhe sot mund të konsiderohen të mbrojtur, janë ende mbi 800 mijë qytetarë vulnerabël që rrezikojnë shëndetin dhe jetën nëse ekspozohen ndaj virusit.
Për të minimizuar rrezikun për personat e paimunizuar, ministria dhe komiteti duhet të pushojnë së bëri kryeneçin dhe aventurierin dhe të vendosin menjëherë kontrollin në kufi të kujtdo që hyn në Shqipëri!
Paraqitja e një testi negativ, certifikate vaksinimi ose certifikate mjeksore si person i shëruar nga COVID, duhet të jetë e detyrueshme për këdo.
Përndryshe do të vazhdojmë të shohim shpërthime të vatrave sporadike të COVID-it, komplikacione dhe ndoshta edhe humbje jete midis personave që nuk e kanë kaluar COVID-in ose midis të vaksinuarve me vaksinën kineze.
Koha për veprim është tani!

  *  Autori është mjek ekspert në shëndetin public, aktualisht shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

 

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull