Lindja e foshnjave është shpesh traumatike në Ballkan, por pak gra kërkojnë drejtësi

19 Minuta Lexim
Qindra gra treguan për BIRN dhunën, abuzimin verbal dhe neglizhencën e përjetuar gjatë lindjes së fëmijëve në Europën Qendrore dhe Lindore. Por shumë pak prej tyre u ndjenë të afta për të kërkuar drejtësi.

Petriç tha se mbase ishte ndjesa e kërkuar nga mamia që e bëri atë të mos ngrinte padi.

Daniela Drandiç nga ‘Prindërit në Veprim: Roda’ [lejleku], një OJF kroate që lobon për mbrojtjen e të drejtave të grave gjatë shtatzanisë dhe prindërimit, tha se tregimet pasqyrojnë dështimin e gjerë për t’i dëgjuar gratë dhe për t’u besuar grave, si dhe një mungesë besimi në mesin e grave për efikasitetin dhe korrektësinë e sistemit gjyqësor.

“Kur vijnë në maternitet, gratë janë në një pozitë të cenueshme, institucioni ushtron pushtetin e vet mbi to dhe ato thjesht nuk kanë zë në të gjithë procesin,” tha Drandiç për BIRN.

“Kush është më i kualifikuar të flasë për atë që po ndodh me trupin e saj sesa ajo grua që po e përjeton këtë?” tha ajo. “Kam frikë se do të kalojë shumë kohë përpara se të fillojmë t’u besojmë grave, jo vetëm në këtë sferë.”

Sipas rezultateve të pyetësorit:

  • 84.13 për qind e të anketuarave besojnë se shkaku i ndërlikimeve që ato përjetuan gjatë lindjes ishte neglizhenca mjekësore
  • Vetëm 3.06 për qind ngritën padi gjyqësore ose bënë ankesë
  • 85.47 për qind thanë se nuk kishin sëmundje shoqëruese të mëparshme që mund t’i kishin shkaktuar ndërlikimet
  • 6.5 për qind raportuan se foshnja ose foshnjat e tyre vdiqën gjatë lindjes

‘Në fund, ato humbasin’

Grafika: BIRN/Igor Vujcic.

Në vitin 2018, pasi një deputete kroate ndau përvojën e saj traumatike të lindjes, Drandiç dhe organizata “Roda” filluan një fushatë në mediat sociale me thurjen #ThyejHeshtjen [#PrekinimoSutnju], duke ftuar gratë që të paraqesin me shkrim përvojat e tyre me sistemin shëndetësor kroat.

Brenda ditësh, “Roda” mori më shumë se 400 letra. Roda i dorëzoi ato në Ministrinë e Shëndetësisë. Fushata pati jehonë edhe në Serbinë dhe Bosnjën fqinje, ku gratë gjithashtu filluan të flasin.

Drandiç tha se duhet bërë shumë më tepër për të ndryshuar praktikat e kujdesit shëndetësor në Ballkan.

“Një ndryshim i tillë është i mundur, qoftë përmes edukimit ose përmes procedimeve gjyqësore, që kanë një lloj epilogu që ndikon në mënyrën e sjelljes në nivel të institucionit ose profesionit,” tha Drandiç për BIRN.

Ajo shprehu keqardhjen për faktin që kaq pak gra kishin ndjerë se mund të bënin ankesë ose mund të ngrinin një padi gjyqësore.

“E para dhe më e rëndësishmja… gratë kanë pësuar trauma, atyre u duhet hapësirë dhe kohë që të distancohen nga ajo ngjarje në mënyrë që të mund të përpunojnë traumën, përpara se të jenë të gatshme të flasin për të”, ndërsa kujdesen gjithashtu për një të porsalindur dhe ballafaqohen me një “ndryshim të madh”, tha Drandiç.

Pastaj aty janë gjykatat. Gratë, tha Drandiç, nuk kanë një proces transparent, të besueshëm ose efikas ankesash, ku ato mund të drejtohen.

“As procesi gjyqësor nuk paraqet ndonjë mundësi për to, pasi procedurat gjyqësore janë zakonisht të gjata dhe është e sigurt që në fund, ato humbasin,” tha ajo.

“Gratë janë në një pozitë shumë të cenueshme në tërë këtë histori, ndërsa mjekët dhe institucionet spitalore janë në një pozitë shumë të pushtetshme.”

Nevojitet një ‘reformë e plotë’

Nga ana e tyre, profesionistët mjekësorë ia hedhin fajin mungesës së mjekëve dhe organizimit të dobët.

Snezana Rakiç, gjinekologe në një klinikë private në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, tha se maternitetet në Serbi janë thjesht shumë të mëdha.

“Ka maternitete që janë shumë të mëdha dhe kanë 6,000-7,000 lindje në vit; në këto spitale të maternitetit, frekuenca e lindjeve është shumë e lartë dhe logjikisht nuk mund të pritet i njëjti shërbim siç mund të merret në spitale më të vogla,” tha Rakiç për BIRN.

“Në të gjithë botën, po bëhen maternitete për 1,500 deri në 2,000 lindje, ku praktikisht ka pesë lindje në ditë… ato kanë më shumë staf dhe më pak pacientë që kërkojnë kujdes. Pra, problemi kryesor është i natyrës organizative.”

Rakiç tha se Serbia mund të mësojë shumë nga vendet e tjera.

“Nevojitet një reformë e plotë,” tha ajo. “Përvojat nga Austria dhe Gjermania janë të ndryshme: mamitë, të cilat janë të trajnuara mirë, udhëheqin procesin e lindjes fiziologjike dhe mjeku vjen vetëm në rast të ndërlikimeve.” Në Serbi, një mjek medoemos duhet të jetë i pranishëm, por ka mungesë të mjekëve në të gjithë rajonin”.

Një mjek tjetër vuri në dyshim përkufizimin e ‘ndërlikimeve’.

“Koncepti i ndërlikimit [në lindjen e fëmijës] ndryshon mes mjekut dhe pacientit,” tha Aleksandra Dimitrijeviç, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në qytetin e Kragujevacit në Serbi dhe drejtoreshë e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në spitalin e qytetit.

“Nuk është ndërlikim nëse lindja zgjat më shumë, sepse rezultati përfundimtar është një grua e shëndoshë dhe një fëmijë i shëndoshë,” tha ajo.

Nga afërsisht 2,200-2,300 lindje të kryera në spital, “kur flasim për ndërlikime të rënda, ne jemi në më pak se një për qind,” tha Dimitrijeviç për BIRN.

‘Unë kurrë nuk e pashë foshnjen”

Tridhjetë e katër të anketuar me pyetësorin e BIRN raportuan vdekje të foshnjes ose foshnjave gjatë lindjes. Një i anketuar, anëtar i familjes së një gruaje shtatzënë, tha se nëna kishte vdekur. Në një rast tjetër, edhe nëna edhe foshnja vdiqën.

Një prej nënave që tha se kishte humbur foshnjen ishte Dina Angelova, një grua me origjinë ruse që jeton në Maqedoninë e Veriut.

Angelova tha për BIRN se ujërat i shpërthyen në shtëpi dhe ajo u dërgua me ambulancë në spitalin e përgjithshëm në qytetin verior të Kumanovës.

“Fillova të kem gjakderdhje, kjo zgjati tri orë,” tha ajo. “Por stafi ishte jashtëzakonisht i vrazhdë dhe më bërtitën pse kisha ndotur ambientet e tyre. Më thanë që isha hapur, por që foshnja ishte shumë lart, kështu që nuk mund të lindja.”

“Agonia zgjati për disa orë. Kërkova ndërhyrje çezariane, por më thanë se gjithçka ishte në rregull.” Një mjek, të cilin Angelova e përshkroi si më të vjetër dhe më me përvojë, i bërtiti personelit mjekësor, duke u thënë atyre se “po humbnin gruan dhe fëmijën.”

Përfundimisht, foshnja lindi, por u vendos në një inkubator dhe u transportua drejt kryeqytetit në Shkup. Angelova u mbajt në Kumanovë. Më vonë, ajo mori një telefonatë ku iu tha se foshnja e saj kishte vdekur dhe Angelova e nxorri veten nga spitali.

“Unë kurrë nuk e pashë foshnjën,” tha ajo. “Kështu, sa herë që shkoj në kishë ndez dy qirinj, një në rast se fëmija është diku gjallë dhe një në rast se ka vdekur.”

Autopsia tregoi se foshnja kishte gëlltitur shumë lëng amniotik. Angelova tha se mjekët e tjerë me të cilët u këshillua i thanë asaj se fëmija do të kishte mbijetuar, nëse do të ishte bërë një ndërhyrje çezariane.

Angelova e raportoi rastin e saj te prokurorët publikë në Kumanovë, të cilët thanë për BIRN se i kishin kërkuar policisë të hetonte çështjen dhe se kishin kërkuar mendimin e një eksperti në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup, që ende pritej të dorëzohet.

“Unë thjesht dua të di se ku qëndron faji, që fajtorët të ndëshkohen në mënyrë që nënat e tjera të mos e pësojnë si unë,” tha Angelova.

Shumë nëna të tjera pësojnë përvoja të ngjashme në Maqedoninë e Veriut, e cila ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë amëtare dhe foshnjore në Europë.

Vdekshmëria foshnjore ra në nivelin më të ulët ndonjëherë në 2018, me 5.7 për 1,000 lindje të gjalla, por ishte ende më e lartë se mesatarja me 3.5 e Bashkimit Europian atë vit.

Sipas një raporti të UNICEF-it të shkurtit 2018, Maqedonia e Veriut ka normën e dytë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në muajin e parë të jetës në Europë, duke u radhitur vetëm pas Moldavisë ish-sovjetike.

Raporti tregon se performanca e sistemeve shëndetësore në veçanti nuk mund të jetë arsye për normat e larta të vdekshmërisë, për të cilat raporti fajësoi gjithashtu zhvillimin ekonomik, varfërinë, mirëqenien sociale, normat e sëmundshmërisë dhe gjendjen e mjedisit.

Dr. Borjan Pavlovski nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave (ESE), tha se normat e vdekshmërisë foshnjore ishin më të këqija për pakicën e madhe etnike shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe në zonat rurale.

Nga Qendra Kombëtare e Romëve (NRC), një OJF që punon për të drejtat e komunitetit rom në Kumanovë, thonë se ata rregullisht hasin në raste të ndërlikimeve gjatë lindjes.

“Le të mos i harrojmë gratë që nuk kanë dokumente [letërnjoftim] për shkak të problemeve të ndryshme administrative,” tha kreu i NRC, Ashmet Elezovski. “Ato nuk kanë të drejtë për kujdes shëndetësor dhe lindje falas.”

Dhunë dhe abuzimi verbal

Jolka Nathanaili Penotet, psikologe dhe drejtuese e OJF-së shqiptare “Njësia për Fëmijën dhe Familjen”, lindi vajzën e saj në 2015 në Spitalin Mbretëresha Geraldinë në Tiranë.

Nuk kishte ndërlikime të mëdha, por Nathanaili Penotet tha se ajo lëngoi për javë të tëra nga prerja “joprofesionale” dhe “e pakujdesshme” që iu bë perineumit për të krijuar hapësirë për foshnjën, një procedurë e zakonshme, por që gratë thonë se kryhet shpesh pa kërkuar pëlqimin e gruas, pa e informuar gruan ose pa i ofruar asaj një alternativë tjetër.

“Unë nuk do ta harroj kurrë gjendjen time gjatë muajit të parë pas lindjes, edhe pse kisha një lindje natyrale,” tha ajo për BIRN, duke thënë se një mjek në Francë, te i cili ajo kishte qenë për vizitë mjekësore, ishte i shokuar nga dëmi i shkaktuar.

“Mënyra sesi trajtohen nënat e reja, mungesa e kujdesit… lë një gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ne dhe na bën të mendojmë dy herë përpara se të vendosim për një shtatzëni tjetër.”

Rreth 7.5 për qind e atyre që iu përgjigjën pyetësorit të BIRN raportuan probleme me episiotominë.

Një raport i vitit 2019 nga juristja kroate dhe Raportuesja e Posaçme e OKB-së, Dubravka Simonoviç thotë se “keqtrajtimi dhe dhuna ndaj grave në shërbimet e kujdesit për shëndetin riprodhues dhe lindjen e fëmijëve në institucionet shëndetësore ndodhin në të gjithë botën dhe prekin gratë në të gjitha nivelet socio-ekonomike”.

Dhuna obstetrike përfshin abuzimin fizik, procedurat e detyrueshme mjekësore ose procedurat e kryera pa pëlqim, refuzimin për të dhënë ilaçe për qetësim të dhimbjeve ose anestezi, shkeljen e privatësisë, por edhe poshtërimin dhe abuzimin verbal.

Drandiç tha se në Europën Qendrore dhe Lindore ende përdoren “praktikat e vjetëruara”. Ajo përmendi manovrën Kristeller, ose presionin fundor, një praktikë me të cilën një mami ose mjek ushtron shtypje të fortë mbi barkun e nënës gjatë kontraksioneve. Në vendet e zhvilluara, kjo praktikë dekurajohet për shkak të riskut të thyerjes së kockave, dëmtimit të organeve dhe ndërlikimeve të tjera.

Një grua nga qyteza Foça në Bosnjë tha se ajo iu nënshtrua episiotomisë dhe manovrës Kristeller pa paralajmërim.

Ajo tha se foshnja e saj pësoi thyerje të klavikulës, ndërsa ajo kishte mavijosje të mëdha përreth barkut dhe brinjëve si dhe kishte lënguar nga një infeksion kur i shqepën penjtë e qepjes në perineumin e saj.

Ajo u ankua edhe për abuzim verbal nga personeli mjekësor, që i kishte thënë “Mos u përkedhel” dhe e kishin akuzuar për sjelljen e saj “thuajse je e vetmja nënë në botë”.

Rreth 16 për qind e të anketuarave u ankuan për mënyrën se si personeli mjekësor u kishte folur ose i kishte trajtuar fizikisht.

“Unë u fyeva nga mjeku për peshën time trupore, [më quajti] me emra poshtërues,” shkroi një grua nga Serbia.

Një tjetër, në Mal të Zi, tha se ajo i ishte nënshtruar “dhunës”, “bërtitjes” dhe “kërcimit në bark”, një referim me sa duket për manovrën Kristeller.

Ajo citoi personelin mjekësor duke i thënë asaj: “Shtrëngoji dhëmbët” dhe “A mendon se je në hotel?”

Gruaja nga Foça tha se ndjehej pjesërisht fajtore, sepse nuk i kishte ditur të drejtat e saj.

Por Drandiç tha se gratë shtatzëna dhe nënat shpesh nuk janë “në një pozitë, ku ato mund të luftojnë për të drejtat e tyre”.

“Thjesht fare, një grua kur është në fund të shtatzënisë së saj ose gjatë lindjes… ka shumë më tepër gjëra për të bërë sesa të analizojë nenet e ligjit ose të grindet me dikë,” tha Drandiç.

“Gratë në përgjithësi, nuk e dinë se kanë të drejtë të thonë ‘Jo’. Kjo është gjëja elementare që ne as vajzave nuk ua mësojmë. Ju keni të drejtë të thoni ‘Jo’. Dhe personi të cilit i thoni ‘Jo’, e ka për detyrim t’ju dëgjojë dhe ta respektojë këtë”.

Heqja e përgjegjësisë për kontribuuesit lokalë do të shtohet.

Raportimi shtesë nga Bardha Nergjoni nga Info Elbasani, Klevis Mehaj nga Informimi.al, Marina Miniq dhe Jovana Maroviq nga Glas Sumadije, Aleksandra Popoviq nga e përditshmja Danas, Suzana Nikoliq dhe Zaklina Cvetkovska nga Kumanovo News, Semira Degirmenxhiq nga Fokus, Mladen Bubonji nga Gerila, Stefan Blagiq nga Moja Hercegovina dhe Naim Kavazic e Dario Bozhiq nga Visoko.co.ba./Reporter.al

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull