“Më vjen turp nga vetja”, Billie Eilish flet e prekur për të shkuarën e saj

2 Minuta Lexim

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Vogue Australia”, Billie Eilish ka treguar se ndjehet shumë keq për disa veprime të së shkuarës. Ajo ka treguar se çfarë do të thotë të rritesh para syrit të publikut dhe në moshën e internetit.

“Është shumë e çuditshme se si bota mund të shikojë çdo aspekt të jetës tënde dhe të ta rikujtojë atë. Interneti risjell gjëra të së shkuarës të çdo njeriu dhe mendoj ‘A nuk mendoni ju njerëz se të gjithëve ju vjen tmerrësisht shumë turp për të shkuarën? A nuk mendoni se siç ju vjen juve turp për të shkuarën, mund t’ju vijë edhe të tjerëve?’”, është shprehur Billie.

Ajo ka shtuar se kur ka qenë adoleshente ka thënë shumë gjëra për të cilat sot nuk është dakord.

“Kam thënë shumë gjëra atëherë, për të cilat tani nuk jam dakord, ose mendoj të kundërtën. Gjëja më e çuditshme është se asgjë nuk humbet pasi publikohet në internet. Çdo intervistë që kam dhënë kur isha 15 vjeçe është ende aty dhe mendoj vazhdimisht për këtë gjë”, ka thënë këngëtarja.

Gjithashtu Billie ka treguar se ka pasur një intervistë kur nuk ka treguar të vërtetën dhe se i vjen keq për veten.

“Kam dhënë një intervistë ku dikush më pyeti: ‘Çfarë bën kur nuk bën muzikë?’. Dhe unë i thashë ‘Edhe kur nuk jam duke bërë muzikë, jam duke bërë muzikë’. Dhe në fakt këtë gjë e ka thënë Lil Wayne në një intervistë dhe unë e pashë dhe e thashë. Dhe kjo nuk ishte as e vërtetë!

Kur je adoleshent nuk e njeh veten, kështu që përpiqesh ta kuptosh veten. Kjo ishte gjëja më e vështirë për mua: nuk e dija vërtetë se si ndihesha. Kështu që thjesht mbahesha pas kësaj fasade”, ka thënë Eilish.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull