Mori të renë në motorin e ujit dhe e la të vdekur në mes të detit, i riu që sapo ishte kthyer nga Anglia mund t’ia hedhë paq me gjobë

4 Minuta Lexim

Kanë ndryshuar akuzat për Indrit Bajraktarin, djaloshin që u bë protagonist i ngjarjes së 19 gushtit 2020 në plazhin e Velipojës, ku mbeti e mbytur në ujërat e detit Adriatik, 17-vjeçarja nga Tirana, Enisa Doda.

Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mbyllë hetimet për këtë ngjarje të rëndë,duke marë të pandehur Indrit Bajraktarin për akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia” dhe jo për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, siç policia referoi fillimisht ngjarjen. Me akuzën e re, i pandehuri Indrit Bajraktari, rrezikon një dënim minimal që fillon me gjobë deri në 5 vite burgim.

Njëherësh prokurorja e çështjes, vendosi të pushojë dhe akuzën e “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” për Bajraktarin, pasi sipas saj nuk ekziston fakti.

Ndryshim i akuzës për Indrit Bajraktarin, është bërë nga prokurorja e çështjes, Franceskina Lekani, e cila në dosjen penale thotë se: ”…i pandehuri me mendjelehtësi ka krijuar bindjen se është në gjendje që së bashku me të ndjerën të bëjë një shëtitje me motor uji,në një distancë të konsiderueshme nga bregu i detit,se është në gjendje të shmangë pasojat kriminale, mbytjen në ujë të vetë atij apo të shtetases Enisa Doda. Bajraktari, ka besuar në forcat e aftësitë e tij se mund ta bëjë shëtitjen me motor uji pa i ardhur atij apo të ndjerës ndonjë pasojë e rendë,siç mund të jetë mbytja në ujë e 17-vjeçares Enisa Doda…”.

Më tej në dosjen penale prokurorja thotë se gjatë shëtitjes në det me motor, kur kanë arritur në një distancë rreth 1200 metër larg nga bregu i detit, Indrit Bajraktari, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe së bashku me vajzën janë rrëzuar,duke rënë në ujë.

Momentalisht dosja penale është në fazën e gjykimit dhe pritet që në ditët në vijim, gjyqtari Hasan Selimi, të marrë një vendim për dënimin ose jo të Indrit Bajraktarit.

Sipas njërit prej dëshmitarëve kryesorë që i shpëtoi jetën Bajraktarit në det, ky i fundit i kishte thënë se Enisën e kishte vajza xhaxhai dhe se kishte shkuar t’ia dorëzonte xhaxhait, por më pas ka ndryshuar version, duke dhënë një tjetër alibi,ku ka treguar se 17-vjeçaren e kishte çuar në Velipojë.

Vajza 17-vjeçare, Enisa Doda, u gjet e mbytur në orët e para të mëngjesit të datës 20 gusht 2020, rreth 1200 metra larg nga bregu.

Sipas peshkatarit Sabedin Sula, që konstatoi trupin e pajetë mbi ujë, adoleshentja kishte në qafë të varur çelësin e motorit të ujit, që kishin marrë me qira së bashku me Indrit Bajraktarin.

Djali i sapoardhur nga Anglia, e ka ftuar vajzën të bënin një xhiro me motor uji, dhe për këtë i janë drejtuar një pike biznesi që jep motorë me qira, dhe që zotërohet nga Ditmir Harusha në Velipojë.

Të dy së bashku kanë marrë një motor uji, duke e paguar për një kohë 30 minuta.

Por i riu Bajraktari, është zgjatur më shumë se kaq, duke u kthyer drejt tokës me not dhe jo me motorin e ujit që kishte marrë me qira./Ora

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull