Ndërhyrja në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare tashmë ka ‘infektuar’ edhe zonën e Llogorasë.
Burime raportojnë se, në territorin e Parkut të Llogorasë, ka nisur hapja e disa pikave për ndërtimin e guroreve me qëllim nxjerrjen e gurit dhe inerteve.
Pas denoncimit nga ana e banorëve, në terren kamera, ka fiksuar dy pika ndërhyrjesh në zonë, ku mjetet e rënda dallohen duke nxjerrë dhe ngarkuar materiale.
Mbi shqetësimin e banorëve, të interesuar pranë Prefekturës së Qarkut Vlorë, në një komunikim telefonik prefekti Flamur Mamaj konfirmon se firma ‘Gjiknuria’, nuk është pajisur me leje.
Mamaj thotë: “Ka një kërkesë nga ministria për leje, por nuk është shqyrtuar ende, pra Gjikuria nuk e ka lejen për të ndërhyrë në zonë”
E megjithatë, në bisedë Prefekti pranon se është në dijeni të kësaj ndërhyrje të paligjshme, pasi i drejtohet gazetares: “ti ke vajtur kastile aty, se ajo nuk duket nga rruga”, pra prefekti Mamaj e di ekzaktësisht vendin ku firma në fjalë është duke nxjerrë materiale.
Prefekti, shton se nuk ka se çfarë të bëjë, edhe pse është kreu i baseneve dhe përgjegjës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, ndërsa sugjeron që ai që i ka parë të telefonojë policinë.
Pas interesimit në policinë e Vlorës (stacionin e Orikumit), shefi i këtij stacioni ka dërguar grupin e inspektorëve në terren, ndërsa na ka bërë me dije se: “Pas marrjes dijeni te rastit në fjalë, inspektori i zonës ka shkuar ne vendin ku po nxirren inerte, ku janë gjetur duke punuar 2 punëtorë të firmës ‘Gjikuria’. Policia ka njoftuar përgjegjësin e punimeve për tu paraqitur në Komisariat. Ndërsa punimet në terren sipas policisë janë pezulluar deri në sqarimin e situatës.”
24 orë më vonë, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia nëse përgjegjësi i punimeve është paraqit apo jo në komisariat, e nëse rasti është referuar në Prokurori apo jo.
Firma ‘Gjikuria’, është duke punuar në projektin e rrugës Orikum-Dukat, ndërsa materialet inerte që nxjerr nga parku kombëtar i përdor pikërisht për këtë projekt. Një projekt me kosto 51 mln euro, që parashikon ndërtimin e 14.7 kilometra./FaxNews.al