‘Për ne BE do të thotë votë e lirë, 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë’, Basha zbardh takimin me ambasadorët e BE

2 Minuta Lexim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbardhur pak minuta më parë takimin e zhvilluar ditën e sotme me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë, përfshi këtu dhe ambasadorin Luigi Soreca.

Në një postim në rrjetet sociale, kryedemokrati Basha thekson se ka diskutuar me ambasadorët e BE mbi integrimin e Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si prioritetin kryesor të forcës politike që ai drejton.

Mes të tjerash, Basha ka folur edhe për zgjedhjet e 25 prillit, duke thënë se ajo ditë “nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur”.

Mesazhi i kreut të PD Lulzim Basha:

Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Integrimi Europian i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit. Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull