Tre lojtarë me prejardhje afrikane, që humbën penalltitë për Anglinë në ndeshjen e vendimtare të Kampionatit Evropian të Futbollit kundër Italisë të dielën në mbrëmje, kanë qenë në qendër të abuzimeve raciste në internet.
Bukayo Saka, 19 vjeç, një nga lojtarët më të rinj në skuadrën angleze, humbi penalltinë që i dha titullin Italisë dhe i mohoi Anglisë trofeun e saj të parë ndërkombëtar, që nga Kupa e Botës e vitit 1966.
Një situatë serioze, rreth së cilës ndërhyri edhe kryeministri britanik, Boris Johnson. Ai denoncoi ofendimet raciste ndaj futbollistëve, duke nënvizuar se “lojtarët meritojnë të trajtohen si heronj”, pasi e dërguan Anglinë në finalen e parë kontinentale. Kreu i qeverisë së Londrës tha se “përgjegjësit e këtyre abuzimeve të tmerrshme, duhet të kenë turp nga vetja”.
Edhe Federata Angleze reagoi menjëherë, duke u rreshtuar në krah të futbollistëve: “Kushdo që diskriminon futbollistët tanë, nuk është i mirëpritur në ndeshjet e përfaqësueses”.
Për këtë ngjarje të turpshme dhe aspak sportive ka reaguar dhe princi William. Në një postim në Twitter William ka dhënë një mesazh kundër racizmit për futbollistët me ngjyrë.
“Jam i neveritur nga abuzimi racist i drejtuar lojëtarëve të Anglisë pas ndeshjes së djeshme. Është totalisht e paparanueshme që lojtarët duhet të durojnë këtë sjellje të neveritshme. Duhet të ndalojë tani dhe të gjithë personat që janë përfshirë në të duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi William.