Nga Çapajev GJOKURTAJ-
Televizionet dhe rrjetet sociale na bombardojnë me imazhe sportistësh, artistësh, modelesh e gjithfarë njerëz me njohje publike, që s’ngjajnë si tokësorë, por si pasardhës të të Bukurës së Dheut, dalë taze nga përrallat. Në çdo kohë njerëzimi ka ngritur në art trupin e bukur, fizikun harmonik, do thoshte shumëkush. Po, e ka bërë por me një funksion tjetër: të ngjallë admirim e krenari për njeriun dhe njerëzoren.
Pas asketizmit mesjetar psh, do vinte Rilindja Europiane, jo me shenjtorë të përvuajtur e asketikë, por me trupa të shëndetshëm e tërheqës, për të thenë se jeta është e bukur dhe ia vlen ta jetosh këtu e tani. Problemi me imazhet e VIP-ve që reklamojnë është se s’janë aq për njeriun dhe trupin e tij sa për mallrat dhe shitjen e tyre. Në se është fjala për shampo psh, aktorja do të ketë patjetër flokë të shëndetshëm, të gufuar e tejet të bukur; në se është për të shitur kremra, lëkura e saj do të jetë tej të përsosurës; në se paguan firma që prodhon atlete, modeli shfaqet ekraneve më muskuloz e më energjik se se statuja e diskhedhësit helen.
Dhe kur modelja/modeli real, ajo/ai që aktron për reklamën, nuk i ka këto tipare në shkallë sipërore, rroftë fotoshopi e retushimi. Tak fak na e zbresin qielloren në tokë. S’do mend që kjo rrugë nxit shitjet, por njëkohësisht i bën njerëzit e zakonshëm, sidomos moshat e reja, të mos ndihen mirë me trupin e tyre, t’u vijë turp nga vetja. Dhe këtu, thonë studimet, zenë fill çrregullime e sëmundje, duke nisur nga anoreksia e duke ardhur te depresioni e, larg qoftë, shtysat vetvrasëse. Historia e kulturës njerëzore njeh edhe një rrugë tjetër për ngjizjen e heroit.
Bretku shndërrohet në princ të pashëm, hirushja në priceshë rrezëllitëse, qerozi lë pas gjithë të fortët e të përkëdhelurit dhe ngadhënjen. Ndryshimi mes dy këtyre kategori heronjsh është se të parët krijohen nga nevoja të tregut, nga etja për të shitur; kurse të dytat nga dëshira për t’i dhenë zemër fëmijës që të rritet e të përparojë. Të parat vijnë nga tregu e kompanitë e fuqishme dhe kanë frymë puro merkantiliste, të dytat kanë buruar nga gjyshet dhe gjyshërit dhe kullojnë mirësi e përkujdesje për mirërritjen e fëmijve dhe të rinjve. Parë kështu duket se bota ka bërë përpara në teknologji e treg, por s’po bën sa duhet për të ruajtur njeriun dhe vlerat njerëzore. Përpara disa javësh parlamenti norvegjez aprovii një ligj që detyron gjithë influencuesit të shënojnë në reklama rastet kur përdorin retushime e fotoshop.
Edhe instagrami, fejsbuku e rrjete të tjera sociale kanë filluar të ofrojnë opcionin që të lejon të shohësh origjinalin e imazheve të retushuara. Të gjitha këto janë fare pak për të zbutur trysninë që i vjen shikuesit nga idealizimet e imazheve, por gjithsesi janë një fillim. Le të shpresojmë se s’do të mbeten vetëm fillim. ( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’)