Si e ndryshoi pandemia stilin e veshjes së shqiptarëve

10 Minuta Lexim

Teksa veshjet e mbrëmjes dhe të eventeve kanë pësuar rënie drastike, ato “casual” dhe sportive e ndien tronditjen vetëm në fillim të pandemisë, duke iu kthyer normalitetit gradualisht. Mbyllja e kufijve rriti shpenzimet brenda vendit, stili bëhet më “i rehatshëm”.

Disa sezone të humbura, depo të tëra të mbushura me stoqet e veshjeve që nuk panë kurrë vitrinat e dyqaneve dhe humbje të jashtëzakonshme financiare janë ato që përjetoi industria e modës që nga nisja e pandemisë në fillim të vitit 2020 e deri më tani.

Globalisht, kjo preku thuajse të gjithë, nga markat ekonomike tek ato luksoze dhe kërkoi që të gjithë të gjejnë mënyrat sesi të mbijetojnë, duke nisur nga forcimi edhe më shumë i kanaleve dixhitale të shitjes te qasja më e mirëmenduar për atë çfarë ka nevojë klienti.

Për industrinë e veshjes nuk ishte më çështje shije dhe mode, por blerjet e veshjeve u kthyen në nevojë, si rezultat i ndryshimeve në stilin e jetesës që solli pandemia, ku një pjesë e mirë e vendeve aplikoi karantinën, zyrat u boshatisën duke i lënë vend punës nga shtëpia (aty ku ishte e mundur), jeta e natës dhe eventet sociale u zhdukën nga agjendat. Vetvetiu, të gjithë e gjetën veten me dy “uniforma” standarde, veshjet komode të shtëpisë dhe ato sportive (edhe në shtëpi) edhe për udhëtimet në natyrë, parqe, male sa më larg COVID-19.

Në Shqipëri, mbyllja nuk ishte aq drastike sa në pjesën më të madhe të Europës apo më gjerë (me përjashtim të karantinës së vendosur në mars dhe prill). Por kjo nuk pengoi shqiptarët që të ndryshojnë stilin e veshjes apo më saktë, mënyrën sesi shpenzojnë për veshje dhe çfarë blejnë gjatë kësaj kohe bashkëjetese me virusin.

Disa nga grupet më të mëdha të tregtimit të veshjeve në vend konfirmojnë se teksa veshjet e mbrëmjes dhe të eventeve kanë pësuar rënie drastike, ato “casual” dhe sportive e ndien tronditjen vetëm në fillim të pandemisë, duke iu kthyer normalitetit gradualisht.

Sportivet ruajtën pjesën e shitjeve, pandemia nxiti jetën aktive

Petro Kumi, administrator i Balkan Sport (grup që ka nën vete disa marka sportive të ndara në dy kompani) konfirmon se pavarësisht situatës së pandemisë, përjashto fillimin me karantinën, ecuria e segmentit të veshjeve sportive nuk është prekur shumë.

“Covid-19 zgjoi një trend për jetë aktive dhe të shëndetshme, që do të thotë që si për qëndrimin apo ushtrimin në shtëpi, edhe për daljet në ajër të pastër, për ecje në natyrë, male, njerëzit zgjodhën të shpenzonin për rroba dhe pajisje sportive” – shprehet ai.

Një target i sigurt për veshjet sportive është rinia e cila gjithmonë e më shumë po zgjedh veshjet komode në përditshmëri, ndërkohë që është më e vëmendshme edhe ndaj tendencave brenda këtij segmenti. Por edhe mosha e tretë e ka kthyer vëmendjen te veshjet sportive gjatë periudhës së pandemisë.

“Rinia ka nisur të konsiderojë këtë kategori si të pandarë nga përditshmëria. Shihet si moderne dhe mund ta konstatosh fare lehtë, teksa shumica vishen me atlete në përditshmëri. Ky është një target i sigurt për dyqanet me veshje sportive. Një studim që kemi parë ka dalë në përfundimin se veshjet sportivet morën atë që nuk u shpenzua për segmentet e tjera.

Një moshë më e rritur gjithashtu e konsideron sportiven stil jetese, pasi e mban në shtëpi apo për daljet e shpejta. Kjo u përforcua më shumë gjatë pandemisë” – thotë z. Kumi.

Kërkesa për veshje sportive zgjeroi edhe gamën e artikujve që shiten brenda dyqaneve që më parë nuk e kishin atë pjesë kyçe. “Së fundmi kemi shtuar gamën për t’i qëndruar sa më pranë klientit siç është linja ‘active wear’ në një nga dyqanet tona, e përshtatshme për sporte në natyrë apo në palestër, të cilat patën kërkesë të konsiderueshme nga konsumatori ynë” – shprehet Elda Hysenbelli, Drejtore Ekzekutive e Fashion Group Albania.

Mbyllja e kufijve rriti shpenzimet për veshje brenda vendit, stili bëhet më “i rehatshëm”

Blerja e veshjeve jashtë vendit është e zakonshme për një pjesë të shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit. Por me vendosjen e kufizimeve dhe mbylljen e kufijve, ky grup u detyrua t’i përmbushë nevojat në dyqanet brenda Shqipërisë.

Në fillim të vitit 2020, në kohën e vendosjes së karantinës dhe pak muaj më pas, operatorët pohuan se kishte stanjacion në treg, kur për shkak të pasigurisë njerëzit kufizuan shpenzimet.

I vetmi segment që në atë kohë do të kishte ecuri disi më normale ishte ai i veshjeve të fëmijëve, të cilët nga sezoni në sezon rriten dhe për rrjedhojë, kanë nevojë veshje të reja. Por gjatë këtij viti, duket se situata ka ndryshuar disi. Janë rritur shpenzimet për veshje që vjen si nevojë e rinovimit të gardërobës dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe ata që veshjet dikur i blinin jashtë kufijve.

“Shpenzimet për veshjet janë rritur, e shprehur edhe në numër artikujsh të blerë me 13% nga viti 2019. Besojmë se kjo tendencë vjen si pasojë e mbylljes së kufijve, e cila deri diku penalizon aksesin e blerjes jashtë Shqipërisë, por edhe prirjen e konsumatorit shqiptar për të mos kursyer te veshjet, pavarësisht sfidave financiare” – thotë znj. Hysenbelli.

Sipas saj, veshjet që blihen më shumë janë ato casual dhe të rehatshme, të cilat mund të vishen gjatë ditës dhe mbrëmjeve. “Në koleksionet tona të reja të këtij viti, gamën më të gjerë të veshjeve e kemi në: casual, bazike, të rehatshme, praktike dhe veshje për shtëpi, ngjyra me tonalitete të zbehta dhe të tokës”.

Femrat shpenzojnë më shumë për përditshmërinë. Po meshkujt? 

Jo pak herë, femrat cilësohen si “shopaholic” (të varura pas blerjeve), por nuk janë të vetmet. Meshkujt shpenzojnë gjithashtu, por interesi i tyre, sipas preferencës së stilit, është i ndryshëm. Operatorët e tregut pohojnë se femrat shpenzojnë më shumë për përditshmërinë.

“Të dyja gjinitë po shpenzojnë, por rritja më e lartë është vënë re tek femrat, me një trend rritës 5% më shumë se meshkujt. Interesi te meshkujt është më shumë për materiale të rehatshme, linotë dhe pambuku ekologjik. Femrat vazhdojnë të kryesojnë listën e blerësve të dyqaneve tona edhe gjatë vitit 2021”, shprehet znj. Hysenbelli.

Por meshkujt shpenzojnë më shumë se femrat kur vjen puna te veshjet sportive. “Meshkujt shpenzojnë më shumë për veshjet, të paktën në segmentin e sportiveve, sipas konstatimeve në dyqanet tona” – pohon z. Petro Kumi.

Segmenti i udhëtimit u tkurr, shkolla online ngadalësoi rritjen te veshjet e fëmijëve

Teksa pandemia imponoi fillimisht karantinën dhe mbyllje të kufijve, efektet tek disa segmente ishin të menjëhershme dhe disi më afatgjata sesa në segmente të tjera. Tek e fundit, kujt mund t’i duhej një valixhe për aq kohë sa nuk ka udhëtime. Fashion Group Albania konfirmon pikërisht këtë zhvillim, me rritjen e vaksinimit dhe lehtësimin e kufizimeve, i cili po rimëkëmbet.

“E vetmja linjë produkti, e ndikuar nga pandemia janë valixhet dhe çantat e udhëtimit, për shkak të kufizimeve të operimit të linjave ajrore dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Gjatë muajit maj është vënë re një tendencë e rritjes së shitjeve të linjave të udhëtimit. Progresi i vaksinimit globalisht, si dhe në vendin tonë, po shoqërohet me rritje të shitjeve krahasuar me 2019, duke treguar shenja të një rimëkëmbje të ekonomisë së vendit” – pohon Hysenbelli.

Lidhur me segmentin e veshjeve te fëmijët, rritja ka qenë disi më e ngadaltë, me 7%. Ndikim në këtë aspekt, sipas saj, ka pasur zhvillimi i shkollës online. Gjithsesi me ndryshimin e sezonit dhe për shkak të rritjes së fëmijëve, dinamika e ecurisë së shitjeve parashikohet që të jetë më e lartë./monitor/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull