Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit jep njoftim zyrtar për arrestimet në Ministrinë e Brendshme, ku tetë zyrtarë kanë rënë në pranga dhe një në “arrest shtëpie”, pasi akuzohen për abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Në dokumentin e siguriar nga gazetarja Klodiana Lala, SPAK njofton se më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.
Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi./BallkanWeb