Njëri kapet për koke dhe shkulet nga sistemi, tjetri çukitet për koke, e ngulet brenda sistemit. Të dyja seancat janë kontraverse, pasi Karanxha i prokurorisë, akuzon për dredhi anëtarët e komisionit, ndërsa Kreshniku i Partisë, falenderon për gjetjet dhe punën e shkëlqyer, anëtarët e Komisionit…
Nga Elton Qyno –
Kush ishte dje nga kolegët e mi në seancën e radhës që zhvillohej pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vetting), mendoi se plasi grushti, plasi përleshja. Them plasi grushti, sepse efektivët e Gardës së Republikës, me urdhër të paprecedentë të trupës gjykuese të subjektit të rivlerësimit, prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha, rrethuan këtë individ dhe dy avokatët e tij, duke ja fikur mikrofonat dhe kërkuar që të dilnin jashtë.
Pasi në të kundërt do t’i nxirrnin forcërisht nga salla e gjykimit. E padëgjuar më parë dhe e paprecedentë kjo skenë, për kaq vite funksionimi të KPK-së. Aq më tepër për një prokuror të Republikës së Shqipërisë, i cili i bardhë apo i zi, në fund të fundit ka përfaqësuar akuzën zyrtare në gjykatë, në emër të shtetit shqiptar.
Çiftja qëlloi dhe Garda veproi. Menjëherë, u rrethua Karanxha i palestruar, aq sa u krijua një ilaritet i paprecedentë në sallë. Ilaritet që të krijonte përshtypjen, se do plaste grushti, nëse do përshkallëzohej edhe më tej.
Situata u normalizua, ndërsa gjatë këtyre minutave të akuzave të ndërsjellta “…jo mos më prek mua…, jo e di kush jam unë…, jo fikni mikrofonat dhe zbatoni urdhrin e trupit gjykues, …jo ju nxjerrim jashtë me forcë…” e fjalë si këto, kryetarka Etleda Çiftja, lexoi me tre herë shkëputje, vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Karanxha.
Në fakt vendimi për shkarkim, nuk u lexua solemnisht deri në fund, pasi u kthye në një debat me akuza të ndërsjellta mes kryetarkës dhe Karanxhës së palestruar, dhe në fund të dyja palët, dolën nga dyert respektive nga kishin hyrë në sallë.
Nuk dua t’i vij në mbrojtje Ervin Karanxhës dhe asnjë prokurori e gjyqtari tjetër, pasi për reagimin tim nuk ka nevojë askush, dhe nuk i hyn asnjërit në punë. Por si vëzhgues mediatik i këtij procesi, dua të heq një paralelizëm mes dy seancave të njëpasnjëshme, që kam ndjekur brenda një kohe shumë të shkurtër në “Vetting”.
Janë dy seanca që mjafton dhe “lolo” të jesh, arrin të bësh dallimin, se si godet sqepari i pavarur i “Vettingut”. Kush e përdor këtë sqepar dhe çfarë turbulencash dhe konjukturash, i japin “drejtimin”, Veri ose Jug, këtij sqepari. Pra godet nga pykla apo godet nga shata, ajo ana që shërben për gdhendjen e drurit dhe shkuljen e gozhdëve.
Po marrim seancën e djeshme të Karanxhës së prokurorisë dhe seancën e pak ditë më parë të, Kreshnikut të Partisë. Dy seanca që nëse i vendos në paralelizëm, zhvendosesh nga lufta në paqe. Karanxha i prokurorisë është në luftë, Kreshniku i Partisë është në paqe.
Qetësi absolute tek Kreshniku i Partisë, sa ankesat dhe shkeljet nuk konsiderohen të arsyeshme për tu marrë në shqyrtim hollë e gjatë. Aq paqe te Kreshniku i Partisë, sa që vëzhguesi i huaj nuk u kuptua se ekzistonte në atë seancë apo jo, dhe që kryetari i Trupit Gjykues kishte nocionin se po gjykonte në muajin Maj dhe jo në Qershor.
Të dy si Karanxha i Prokurorisë dhe Kreshniku i Partisë, janë shokë për kokë. Por çuditërisht nuk trajtohen njësoj nga “sqepari” i Vettingut.
Njëri kapet për koke dhe shkulet nga sistemi, tjetri çukitet për koke, e ngulet brenda sistemit. Të dyja seancat janë kontraverse, pasi Karanxha i prokurorisë, akuzon për dredhi anëtarët e komisionit. Ndërsa Kreshniku i Partisë, falenderon për gjetjet dhe punën e shkëlqyer, anëtarët e komisionit.
Tek, Kreshniku i Partisë me shkelje plot e falenderime, ndërsa tek Karanxha i prokurorisë me drethi e irritime. Kreshnikut të Partisë, i lexohet raporti financiar dhe i mbyllen sytë tek shkeljet e ankesa, Karanxhën e prokurorisë e kapin mat me polica e dëgjesa….
Kreshniku i Partisë me plot shkelje, goditet me pambuk, ndërsa Karanxha i Prokurorisë qëllohet me Gulinov. Them me pambuk pasi, në seancën konfirmimit në detyrë të Kreshnikut të Partisë, atij ju çua një dosje për inspektim në ILD, duke mbyllur sytë për shkelje, shumë më të rënda se kaq. Ndërsa Karanxha i prokurorisë, gati sa nuk u kap për zhelesh nga Garda e Vettingut.
Këto janë dy kontrastet, ky është vettingu i dy fytyrave. Këta janë dy shokët prokurorë dhe ky është trajtimi i tyre. Njëri çukitet, tjetri goditet. Sot Kreshniku i Partisë, vijon të jetë në krye të prokurorisë së Elbasanit, ndërsa Karanxha i Prokurorisë, vijon të jetë jashtë prokurorisë së Tiranës.
Kreshniku xurxull i Partisë, brenda një mëngjesi të 7 korrikut 2011, kryen tre vepra penale dhe vijon të jetë në sistem, Alketa Zilfa e prokurorisë që pushoi çështjen, përjashtohet nga radhët e prokurorisë. Kush piu, e u bë xurxull, kush aksidentoi Hatien e Vlorës me vdekje dhe kush iku nga vendi i aksidentit, vijon të jetë brenda sistemit të prokurorisë, ndërsa kush pushoi çështjen, “ha kokoshka” në divanin e shtëpisë.
Njëri me shkelje dhe pa avokat, por me falenderime dhe kalon, tjetri pa u dëgjuar në seancë dhe me dy avokatë, nuk kalon. Kreshniku i Partisë, tashmë ka kaluar por për shkak të çukitjes, i është çuar në ILD-ë, një dosje për inspektim profesional.
Kjo dosje bën fjalë për pushimin e ndjekjes penale të procedimit penal Nr. 292 të datës 5 shkurt 2015, që lidhet me veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, ku persona nën hetim, kanë qënë shtetasit Kujtim Kaca dhe Ismail Leka. Kjo çështje është mbyllur nga Kreshniku i Partisë në datën 27 tetor 2015, ndërsa të presim në ditët në vijim, se si do të mbyllet sërisht nga Inspektorët e ILD-së.
Ky është Vettingu, i Kreshnikut të Partisë dhe Karanxhës së prokurorisë, vettingu i Kunatës së Ilibës dhe Kosovës së Prokurorisë, Vettingu i THEO-s së hekurt dhe Elisabetës së prokurorisë,që u Apelua natën se ditën s’kishin kohë të mjaftueshme.