Studimet e fundit kanë treguar se vaksinat kineze, të cilat përdoren masivisht edhe në Shqipëri, nuk ofrojnë mbrojtje të fortë ndaj varianteve të covid, ndaj aplikimi i një doze të tretë është një domosdoshmëri.
Të gjithë personat e vaksinuar me vaksinën kineze Sinopharm duhet të marrin një doze të tretë përforcuese, thonë shkencëtarët.
Të dhënat nga Peruja, e cila ka përdorur në masë këtë vaksinë, tregojnë se dy doza vetëm pakësojnë rrezikun e infektimit me 50.4 përqind, edhe pse në studimet e mëparshme vlerësohej si 78.1% efektive.
Gjetjet, të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e vendit të Amerikës së Jugut, thanë se efikasiteti i vaksinës në ndalimin e infeksionit nuk ishte “i lartë”. Prandaj, dozat përforcuese duhet të merren parasysh, thanë studiuesit.
Sidoqoftë, të dhënat gjithashtu treguan se vaksina ishte ende 94 përqind efektive në uljen e rrezikut të vdekjes.
Akademikët në Institutin Kombëtar të Shëndetit të Perusë dhe dy institute të tjerë monitoruan gati 400,000 mjekë të vijës së parë që kishin marrë vaksinën BBIBP-CorV, e cila është prodhuar nga firma shtetërore kineze e ilaçeve Sinopharm. Shumica kishin marrë të dy dozat.
Ekspertët shqyrtuan të dhënat mbi efektivitetin e vaksinës nga shkurti në qershor, kur vendi po përballej me një valë të dytë.
BBIBP-CorV është miratuar për përdorim në disa vende në Amerikën e Jugut, Azi, Evropën Lindore dhe Afrikë.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor në Peru ishin të parët që morën një vaksinë Covid në vend, dhe të gjithëve iu dha Sinopharm sepse ishte vaksina e parë që mbërriti në vend.
Dr Lely Solari, nga instituti shëndetësor i Perusë, i tha Reuters se “Gjëja më e mundshme është që vërtet do t’ju duhet një dozë e tretë në një moment. Pyetja është kur është momenti më i mirë dhe me çfarë lloj vaksine.”
Shfaqja e variantit ‘Lambada’ në Peru në Dhjetor, i cili i bën vaksinat më pak efektive, mund të ketë nxitur rënien e efikasitetit, thonë ekspertët.
Dozë e tretë edhe për të vaksinuarit me CoronaVac
Një studim i bërë pak ditë më parë në Kinë sugjeroi që të gjithë personat mbi 60 vjeç, të vaksinuar me vaksinën kineze CoronaVac do të kenë nevojë për një dozë të tretë vaksine.Sipas studimit, “Coronavac” ofron veçse gjashtë muaj garanci ose efektivitet. Më tej, niveli i antitrupave, kryesisht te të moshuarit, shkon drejt zerimit.
Në përfundim të fazës së parë dhe të dytë klinike të dozës së tretë së vaksinës CoronaVac në moshat >60 vjeç, të prepublikuar më 8 Gusht 2021, autorët gjejnë se:
2 javë pas dy dozave CoronaVac (3 μg), 97.8% e personave kanë antitrupa neutralizues mbi titrin e rekomanduar, por
6 muaj pas dy dozave CoronaVac (3 μg), vetëm 17.8% e personave vazhdojnë ta kenë këtë nivel antitrupash, pra
Rënie me 80% brenda 6 muajsh.
Pas aplikimit të dozës së tretë CoronaVac (3 μg):
100% personave zhvillojnë antitrupa neutralizues mbi titrin e rekomanduar.
Në nivel sasior, titri gjeometrik mesatar i antitrupave neutralizues ishte:
42.7 (pozitiv) dy javë pas dy dozave (niveli i rekomanduar >8),
3.4 (negativ) gjashtë muaj pas dy dozave (niveli i rekomanduar >8), dhe
305.0 (pozitiv) shtatë ditë pas dozës së tretë.
Doza e tretë (3 μg) është toleruar mirë dhe të gjitha reaksionet ishin të gravitetit të nivelit 1 dhe 2 (detajet në tabela).
Sqarim 1: është paraqitur doza 3 μg, pasi është doza zyrtare e licensuar për këtë vaksinë, megjithatë studimi përfshin edhe dozat 1.5 μg dhe 6 μg.
Sqarim 2: edhe pse titri i antitrupave neutralizues ka rënë në nivel negativ, jo automatikisht do të thotë e njëjta gjë për përgjigjen qelizore, pra vaksina me dy doza mund të vazhdojë të ofrojë mbrojtjen nga format e rënda.
Autorët dalin në përfundimin e qartë se:
Titri i antitrupave neutralizues bie shumë gjashtë muaj pas dy dozave CoronaVac te moshat e vjetra (>60 vjeç).
Një dozë e tretë indukton me shpejtësi (7 ditë) përgjigje imunitare të fortë.
Epidemiologu: Personat mbi 60 vjeç në Shqipëri, të marrin një dozë të tretë
Coronavax është një vaksinë e përdorur masivisht edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë se studimi vlen edhe për vendin tonë dhe aplikimi i një dozë të tretë do të jetë një domosdoshmëri.
Edhe pse nuk ka ende një plan zyrtar nga qeveria, epidemiologu Ilir Alimehmeti shprehet se doza e tretë duhet aplikuar brenda muajit nëntor, që të përballet më lehtë pandemia në dimër.
“Këto rezultate mund të ndihmojnë politikabërësit të përcaktojnë nevojën dhe kohën e saktë të dhënies së dozës së tretë te të moshuarit.
Duke qenë se Shqipëria ka vaksinuar kryesisht moshat e vjetra me CoronaVac në periudhën mars-prill-maj, këto gjetje duhet të na mbështesin përdorimin e një doze të tretë CoronaVac, akoma më mirë Pfizer apo AstraZeneca, brenda muajit nëntor, për t’i bërë ballë vjeshtë/dimrit të ardhshëm”, u shpreh epidemiologu Ilir Alimehmeti.