Aksidenti tragjik me 5 viktima në Qafë-Muzinë, reagon Presidenti Meta

2 Minuta Lexim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur pikëllimin e tij ditën e sotme pas aksidentit tragjik me 5 viktima në Qafë-Muzinë.

Në një postim në Facebook, Presidenti i shpreh ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave dhe i bën apel qytetarëve që të bëjnë kujdes në mënyrë që të shmangen të tilla tragjedi në të ardhmen.

Mëta kishte një thirrje dhe për policinë e Shtetit, të cilës i kërkoi që të marrë masa shtesë në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik.

Ditën e sotme një aksident tragjik u regjistrua në Qafë Muzinë, aty ku një furgon i linjës Sarandë-Tiranë u përplas me një mjet tip Land Rover dhe përfundoi në greminë. Të pesë personat që ndodheshin në furgon humbën jetën.

Postimi i Metës:

Mesazh i Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë

Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.

Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre!

Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!

Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.

E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull