Bashkimi Evropian rrit kontrollin e monitorimit kufitar, shkak situata në Afganistan

2 Minuta Lexim

Agjencia për kufijt e Bashkimit Evropian (Frontex) është duke testuar pajisje të reja teknologjike të cilat do të mundësojnë mbikqyrjen më të mirë të kufijve dhe zbulimin e anijeve të migrantëve.

Ekzistojnë shqetësime për një fluks të ri të migrantëve nga Afganistani, pasi në këtë vend po zhvillohen luftime të ashpra mes forcave qeveritare dhe talibanëve, të cilët po synojnë marrjen nën kontroll të territorit afgan.

Një sistem i pajisur me kamera po testohet në aeroportin “Alexandroupolis” pranë kufirit tokësor greko-turk në verilindje të Greqisë, dhe në ishullin Limnos, me qëllim që zyrtarëve të kufirit t’u japin një pamje më të qartë të anijeve në det.

“Sigurisht që ne jemi duke vëzhguar dhe ndjekur zhvillimet në veçanti në Afganistan dhe Tunizi të cilat mund të kenë një efekt në flukset e migrantëve drejt Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësi i Frontex, Piotr Switorski, transmeton Reuters.

Më shumë se 400 zyrtarë të Frontex-it, tetë anije patrullimi dhe shumë pajisje të kësaj agjencie janë vendosur në Greqi. Ky vend për vite me rradhë ka qenë në vijën e parë të krizës së migrantëve, të cilët nga Lindja e Mesme mundohen të arrijnë në territorin evropian.

Pajisjet e reja u mundësojnë autoriteteve evropiane që të vëzhgojnë në kohë reale deri në 60 kilometra largësi në det.

Disa vende të BE-së kanë ndaluar kthimin e detyruar të afganëve për shkak të situatës së sigurisë në Afganistan. Por, ministri grek i Migracionit, Notis Mitarachi tha këtë javë se BE-ja nuk mund të përballojë një krizë tjetër të madhe migracioni.

Rreth 22.600 migrantë kanë hyrë në BE, përmes Ballkanit Perëndimor, nga janari deri në korrik. Shifra është shumë më e ulët se ajo e vitit 2015, kur më shumë se 1 milion njerëz, kryesisht nga Afganistani, Siria dhe Iraku kaluan përmes Greqisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull