Nga David ROBSON –
Pavarësisht nëse përshkruhet në libra, skena apo ekrane, historia e shëndetit dhe lumturisë së qenieve njerëzore, na paraqitet si një hark i pashmangshëm nga lindja deri në vdekje. Uilliam Shekspir ishte në gjendje ta shpjegonte më mirë se kushto tjetër këtë koncept me esenë e tij mbi “shtatë moshat e njeriut”.
Ne vijmë në këtë botë si foshnje që qajnë, kalojmë nëpër çuditë e fëmijërisë dhe adoleshencës, pastaj në epokën e artë të mendjes dhe trupit tonë, përpara se të pësojmë një rënie të ngadaltë. Deri vonë, edhe shkenca dukej se e konfirmonte këtë pikëpamje mbi jetën.
Deri vonë mendohej se njerëzit e arrinin maksimumin e tyre para moshës së mesme.
Por tani po bëhet gjithnjë e më e qartë se ky ishte një interpretim shumë i i thjeshtëzuar. Fëmijëria dhe adoleshenca mund të jenë periudhat më në zhvillim të shpejtë, por truri ynë mund të ndryshojë në mënyra shumë pozitive, gjatë gjithë jetës sonë dhe disa aftësi të rëndësishme njohëse vazhdojnë të përmirësohen edhe kur jemi në të 50-at, 60-at apo 70-at.
Fëmijëria: Epoka e të menduarit dhe e imagjinatës origjinale
Është për të ardhur keq që nuk mund të kujtojmë vitet tona të para të jetës. Nga këndvështrimi i numrit të ndryshimeve në trup dhe tru, fëmijëria e hershme është periudha më transformuese në jetën tonë. Ne zhvillojmë jo vetëm aftësi thelbësore të mbijetesës si ecja dhe ushqimi, por mësojmë gjuhë dhe si të njohim mendimet dhe emocionet e njerëzve.
Siç e thekson psikologia e zhvillimit Alison Gopnik në librin e saj “Foshnja filozofike”, fëmijët kalojnë shumë kohë në një botë imagjinare duke i kultivuar këto aftësi shumë më tepër sesa të rriturit. Kjo shpjegon faktin pse fëmijëria është një periudhë e krijimtarisë dhe imagjinatës maksimale.
Adoleshenca: Kulmi i kuriozitetit dhe i ndërmarrjes së veprimeve që bartin rreziqe
Sipas Aristotelit, të rinjtë kanë tendencën ta “teprojnë në çdo gjë”. Puberteti, me të gjithë ato hormone seksuale në qarkullim – mund të duket si arsyeja më e qartë për këtë sjellje impulsive dhe prishëse të rregullave. Deri kohët e fundit, besohej se adoleshentët pësojnë disa ndryshime të veçanta të trurit që i pengojnë ata të veprojnë me kthjelltësi dhe në mënyrë racionale.
Por ekspertët thonë se është koha që t’i lëmë pas këto stereotipe. Është e vërtetë që tendenca për të kërkuar ndjesi të forta, arrin kulmin midis moshës 16-19, gjë që mund të shpjegojë prirjen e adoleshentëve për të ndërmarrë veprime të rrezikshme.
Por sipas tyre ne duhet të përqendrohemi më shumë në përfitimet e shumta të spontanitetit dhe kuriozitetit të adoleshentëve. Këto do ti krijojnë atyre një mori përvojash, të cilat do të jenë të dobishme për ta në vitet në vijim të jetës.
Të 20-at: Vitet e shpejtësisë. Por a janë vërtet më të lumtur njerëzit?
Për shumë njerëz, dekada e tretë e jetës përkon me periudhën më gazmore dhe më të bukur, në të cilën ata vendosin të zbulojnë botën, shpesh duke filluar karrierat e tyre dhe duke takuar atë që do të jetë bashkë-udhëtari i jetës së tyre. Është e zakonshme të merret i mirëqenë koncepti se kjo moshë është periudha e aftësisë më të madhe fizike dhe mendore, ndërsa pjesa tjetër e jetës është një rënie e pashmangshme.
Por e vërteta është shumë më komplekse. Xhenaro Boçia i Universitetit të Torinos thotë se në popullatën mesatare, ne zakonisht nisim të shohim një përkeqësim të performancës pas moshës 40-vjeçare.
Të 30-at: Mosha e rezistencës
Kjo është e dukshme nga fakti që atletët e specializuar në distanca të largëta arrijnë performancën e tyre më të mirë në këtë grupmoshë. Pas moshës 30 vjeç nis një rënie e kapacitetit aerobik, pra e nivelit të efikasitetit të trupit për të thithur oksigjen në muskuj.
Por nga ana tjetër, vitet e përvojës së akumuluar mund të përkthehen në një avantazh:në një aftësi më të mirë për të menaxhuar emocionet dhe për të qenë më planifikues.
Të 40-at: Menaxhimi i emocioneve dhe përqendrimi
Një batutë e zakonshme është se jeta fillon në të dyzetat, por për shumë njerëz kjo moshë mund të duket më shumë si fillimi i fundit. Megjithatë, ka shumë arsye për të qenë më optimistë për këtë periudhë të rëndësishme të jetës.
Studimet mbi gjendjet emocionale të njerëzve bazuar në ndryshimet e vogla në shprehjet e fytyrës, kanë zbuluar se njerëzit mbi 40 vjeç kanë rezultate më të larta. Po ashtu njerëzit në këtë moshë janë më të duruar dhe të vëmendshëm sesa për shembull 20vjeçarët.
Të 50-at dhe 60-at: Frytet e inteligjencës së kristalizuar
Në qoftë se nuk jemi jashtëzakonisht me fat, në këtë moshë, trupat do të fillojnë të ngadalësohen. Por nuk ka asnjë arsye për ta ndaluar kujdesin mbi shëndetin. Një numër studimesh tregojnë se gjendja psikologjike dhe mënyra e jetesës vazhdojnë të kenë ndikime të dukshme në moshat e mëdha.
Po sipas studimeve, inteligjenca e kristalizuar – sasia e njohurive, fakteve dhe aftësive që ne grumbullojmë gjatë gjithë jetës sonë, siç është gjerësia e fjalorit tonë personal – arrin kulmin midis moshës 50-70 vjeç. Falë kësaj, ju duhet të keni një aftësi shumë më të madhe për t`u shprehur sesa njerëzit në të 20-at apo 70-at.
Të 70-at dhe më tej: Mençuria maksimale dhe aftësia vendimmarrëse
Nëse doni të qëndroni të shëndetshëm, aktiviteti i rregullt fizik është thelbësor në këtë moshë. Për shembull, një studim tregoi se si një program trajnimi për forcën e muskujve ishte në gjendje të përmirësonte aftësitë motorike të 90 vjeçarëve. Po ashtu njerëzit në këtë moshë dalin më mirë në teste në lidhje me cilësinë e përgjithshme të vendimmarrjes,e cila duket se rritet vazhdimisht gjatë gjithë jetës.
Aftësitë tona mbresëlënëse në të shtata fazat e jetës, e bëjnë të qartë se nuk ka një periudhë të vetme shkëlqimi. Në një formë apo tjetrën, çdo dekadë mund të konsiderohet një moment i artë. Që nga momenti kur vijmë në këtë botë dhe derisa dalim prej saj, ne njerëzit kemi potencial të madh.
Marrë me shkurtime nga “New Scientist” – Bota.al