Gjatë verës ato që parapëlqejmë më shumë të veshim në këmbë janë shapkat dhe sidomos shapkat apo sandalet me gisht. Shapkat me gisht gjithmonë kanë qenë në modë, shumë të pëlqyera si nga meshkujt edhe nga femrat, por ato nuk janë të këshillueshme për shëndetin.
Dermatologët, çdo vit në këtë stinë paralajmërojnë të përdorni sa më pak të jetë e mundur përdorimin e tyre. Ato janë të sheshta dhe anatomia e këmbës është e tillë, që kërkon të ketë pak lartësi nga toka. Por përveç kësaj, ato krijojnë vështirësi në të ecur, pasi forca që ushtrohet për t’i tërhequr, shkakton lodhje të këmbës.
Por edhe pse këto shqetësime i kanë ndjerë të gjithë ata që i kanë përdorur shapkat me gisht, duket se kjo nuk është problem, pasi sapo afrohet stina e verës ato mbeten modeli më i pëlqyer nga femrat dhe meshkujt.
Fillimisht, këto lloj shapkash janë konceptuar dhe përdorur vetëm në plazh, por më vonë janë përdorur në çdo kohë, çdo moment të ditës dhe çdo lloj rasti. Evitoni përdorimin e tyre kudo duke i përdorur vetëm në plazh, sepse përveç të tjerave nuk janë as higjienike.