Erdhi qorrfermani nga Tirana…

4 Minuta Lexim

Nga Enver ROBELLI –

Në kushte normale kryeministri i Shqipërisë do të takonte kryeministrin e Kosovës dhe ata do të diskutonin mbi kërkesën e SHBA-ve për strehimin e disa afganëve, të cilët kanë punuar për forcat amerikane në Afganistan dhe tani jeta e tyre mund të jetë në rrezik nga talibanët. Meqë dialogu e takimet nuk janë të mundshme për shkaqe të egos, ndjenjës hakmarrëse e kryeneçësisë, kryeministri i Shqipërisë, i cili prej ditësh ka mobilizuar aparatin e tij propagandistik kundër Kosovës, tani del me një qorrferman, ku i bën thirrje Kosovës të pranojë afganët nëse këtë ia kërkon Amerika. Është një ton paternalist, një gjuhë prej “babait të kombit”, të cilën karshi Kosovës po e përdor në publik kryeministri i Shqipërisë. Është gjuhë kontraproduktive, që thellon ndasitë.

Ende nuk dihet se në ç’nivel kanë arritur bisedat mes Kosovës dhe administratës amerikane, sipas agjencisë së lajmeve Reuters Washingtoni ka disa rezerva, ngase dyshon në aftësinë e Kosovës për t’i strehuar afganët. Është një kërkesë delikate që duhet të trajtohet në mënyrë diskrete dhe natyrisht qeveria e Kosovës duhet të tregohet e gatshme të ndihmojë aq sa është e mundshme, përfshirë edhe strehimin e të rrezikuarve.

Toni arrogant i kryeministrit të Shqipërisë synon ta paraqesë qeverinë e Kosovës si antiamerikane, pa qenë e tillë. Dhe këtë e bën politikani, qeveria e të cilit në OKB ka votuar për një rezolutë në favor të Palestinës dhe kundër qëndrimit amerikan.

Në vitin 2016 kryeministri i Shqipërisë me lehtësi të padurueshme doli në CNN dhe paralajmëroi ditë të zeza për myslimanët nëse fiton Donald Trumpi. Kjo nuk ishte detyrë e kryeministrit të Shqipërisë, por ja që e bëri. Pastaj për të ndrequr pak punët me administratën e Trumpit, Tirana zyrtare pranoi disa qindra pjesëtarë të një sekti iranian, që qeveria amerikane i mbante në Bagdad si opozitë kundër Teheranit. Këtë sekt Washingtoni e kishte në listë të organizatave terroriste, më vonë e hoqi. Revista gjermane DER SPIEGEL ka një reportazh të gjatë nga Shqipëria ku përshkruhet jeta në kapim e muxhahedinëve popullorë iranianë. Disa njerëz që kanë ikur nga kampi flasin për terror psikik. John Boltoni, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe më vonë këshilltar i Trumpit për siguri nacionale, e pati lavdëruar Shqipërinë që i pranoi anëtarët e sektit iranian, e në anën tjetër dha dritë jeshile për ndarjen e Kosovës.

Kur SHBA i bën presion Shqipërisë të gropos në territorin shqiptar armët kimike siriane, qeveria e atëhershme e Kosovës nuk i dha leksione kryeministrit “socialist” në Tiranë se çfarë duhet të bëjë. Kërkesa amerikane u refuzua dhe askush nuk i tha kryeministrit të Tiranës se është antiamerikan. Shkurt e shqip: toni arrogant, polemist, cinik dhe toksik i kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës është tepër i dëmshëm për higjienën publike. Ai me sa duket nuk dëshiron dialog me qeverinë e Kosovës, por synon ta trajtojë atë si degë të PS-së në Kukës dhe Has. Dhe këtu qëndron problemi i vërtetë. Një problem që kërkon zgjidhje urgjente. Dhe jo dhënie leksione në Facebook.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull