Kosova dhe disa shtete evropiane janë në alarm për shkak të zjarreve të rëna prej ditësh si shkak edhe i temperaturave të larta.
Në Kosovë, duket se situata po vihet nën kontroll, pasi nga 50 vatra zjarri tashmë janë aktive vetëm 10 prej tyre. Zonat e prekura kanë qenë Peja, Gjakova, Malisheva, Suhareka dhe Deçani, ndërsa po vijon monitorimi nga ajri për parandalimin e përhapjes së vatrave.
Në Greqi, situata është e rënduar, kryesisht në rajonet jugore. Njësitë bashkiake të periferisë së Rodosit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë evakuuar banorët. 3,000 hektarë pemishte janë djegur nga një zjarr që shpërtheu pranë qytetit të Patras, 200 kilometra në perëndim të Athinës. Ndërkohë fshatra të tërë në Peloponez janë evakuuar.
Rezultojnë deri tani 10 persona të plagosur rëndë dhe qindra të tjerë me plagë tmë të lehta.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se situata me zjarret është më e rënda në më shumë se tre dekada.“Ne po përballemi me valën më të keqe të nxehtësisë që nga viti 1987,” tha kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se autoritetet po bënin “gjithçka të mundshme” për të vënë nën kontroll situatën. Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, tha se në korrik janë shënuar 1,584 vatra të zjarrit në të gjithë Greqinë krahasuar me 953 në vitin 2019.
Prej datës 15 korrik edhe Italia ka probleme të mëdha me zjarret kryesisht në zonën e Siçilisë dhe atë të Pulias. Nga Molisse pothuaj të gjithë janë evakuuar për të shmangur ndonjë tragjedi njerëzore. Janë plot 37.407 ndërhyrje të zjarrfikësve në ditët e fundit në të gjithë Italinë kryesisht në zjarre të vendosura në pyje dhe në territore të pabanuara, por që për shkak të temperaturave të larta dhe erës janë përhapur me shumë shpejtësi. Vetëm në 24 orët e fundit ka patur 120 ndërhyrje kryesisht të flotës ajrore. Momentalisht po punohet fort në Aidone Contrada San Bartolo (Enna), në Randazzo (Katania), në Chieti Roça San Giovanni, provincë e Katanzaro dhe në provincën e Barit dhe Pulias. Në Sicili aktualisht po zhvillohen 90 operacione, ndërsa është pezulluar lëvizja e trenave në linjën e Adriatikut (Ankona-Bari) dhe banorët janë këshilluar të mbajnë dritaret mbyllur për shkak të resë së madhe të tymit të krijuar. Dëme njerëzore nuk ka, por dëmet ekonomike, në pyje dhe ferma janë të konsiderueshme.
Turqia prej ditësh tashmë gjendet në një situatë shumë alarmante përsa I përket zjarreve, të cilat kanë vënë në vështirësi serioze autoritet turke dhe gjithashtu kanë dëmtuar rëndë turizmin.
Janë aktualisht rreth 100 vatra të fuqishme zjarri kryesisht në rajonet jugore të vendit ku përfshihen Managvat (Antalia), Milas, Adana, Osmaniye, Mersin dhe Kayseri. Janë prekur gjithsej 32 provinca dhe 120 vatra të tjera përveç atyre aktive janë vënë nën kontroll. Tetë persona kanë humbur jetën (dy prej të cilëve janë zjarrfikës), 27 rezultojnë të plagosur rëndë dhe qindra të tjerë kanë marrë ndihmë shëndetësore nga strukturat e specializuara. Turistët nga Antalia dhe Bodrumi janë evakuuar nëpërmjet detit me anijet e rojes bregdetare dhe ato të marinës.
Ministri I Bujqësisë dhe Pyjeve Bekir Pakdemirli deklaroi se në terren po punojnë non stop 4000 zjarrfikës, 38 helikopterë, 3 aeroplanë, 490 hedhës uji, 660 buldozierë si edhe po përdoren drone gjithashtu. Thatësira, nxehtësia dhe erërat jugore nuk janë në favor të përpjekjeve për të shuar zjarrin. Presidenti Erdogan ka deklaruar se duhet rinovuar e gjithë infrastruktura duke u nisur nga ky “mësim” që morën. BE, Rusia, Katari, Azerbaxhani dhe Ukraina kanë dërguar avionët e tyre në ndihmë përfshirë edhe ata amfibë. Pjesa më e madhe e zjarreve dyshohet se janë vënë nga dora e njeriut dhe pritet të ketë hetime të mëtejshme pasi të kalohet emergjenca.
Zjarre ka pasur edhe ne Spanjë, edhe në France në zona të caktuara .