Filmi “Love”, regjia Dionis Papadhimitri, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është nominuar në kategorinë filmi më i mirë, në “Richmond International Film Festival”, SHBA. Pas suksesit në premierë, “Love” konkurron në mënyrë dinjitoze në festivale ndërkombëtare të kinemasë. Fituesit pritet që të shpallen më datën 12 shtator në ambientet e Teatrit Byrd, në SHBA. Gjithashtu, ky film konkurron edhe në Festivalin e Filmit në Spanjë. “Love” është xhiruar në Tiranë dhe është prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”, financuar nga QKK. Skenari është shkruar nga Irvin Muçaj dhe Dionis Papadhimitri dhe në role janë Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Luli Bitri, Herion Mustafaraj, etj. Në qendër të filmit artistik “Love” qëndron Geri, rolin e të cilit e luan Genti Kame. Geri një mashkull rreth të 40-tave i lodhur nga jeta në Itali, ai vendos që të kthehet në vendlindjen e tij në Tiranë. I palumtur nga martesa prej dhjetë vjetësh Geri vendos të jetojë pa bashkëshorten e tij në Tiranën e zhurmshme të klubeve, pubeve, diskove ku takohet me miqtë e tij të mirë Tomin, Mondin dhe Danielin, role të luajtura nga aktorët Gent Hazizi, Gentian Zenelaj dhe Herion Mustafaraj. Por një zë i vazhdueshëm e shoqëron në çdo periudhë të ditës. Është Ela, që në film luhet nga Luli Bitri, gruaja e tij që ka lënë në Itali. Pasioni për seks me dashurinë e tij të parë, Fionën rol i luajtur nga Rozi Kostani dhe lidhja me një vajzë të re Elizën, një rol i luajtur nga Olta Gixhari e bëjnë Gerin që të pakësojë numrin e anti depresivëve që ai pi. Por kjo zgjat deri në ditën që Ela vjen duke i prishur balancat e tij dhe nëpërmjet kontrollit që arrin të vërë mbi të e rrënon këtë marrëdhënie, duke e bërë Gerin të pajtohet me statusin e një martesë lineare, ku dashuria është një term i harruar. Si gjithmonë fundi është i njëjtë kthehet sërish te ajo, zëri që i prishte qetësinë.