Gjermania shton presionin që qytetarët të vaksinohen, penalitete kush refuzon

2 Minuta Lexim

Në Gjermani 59 përqind e popullsisë është vaksinuar plotësisht por sipas autoriteteve shëndetësore, kjo nuk mjafton. Prandaj nga dita e hënë, ka nisur zbatimi i një strategjie të re që shton presionin tek të pavaksinuarit.

Të gjithë personat që janë të pajisur me certifikatën shëndetësore mund të lëvizin lirshëm, nëse plotësojnë njërin nga tre kushtet e miratuara.

Të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, vërtetimin se mbajtësi është shëruar nga infeksioni SARS-CoV-2 i cili duhet të lëshohet jo më herët se 11 ditë pas testit të parë pozitiv, apo përgjigjen negative të testit PCR ose të antigjenit.

Të pavaksinuarit duhet të paraqesin kurdoherë një test negativ jo më të vjetër se 24 orë ndërsa ata që do të kalojnë pushimet në hotel do të detyrohen ta bëjnë testin çdo tri ditë. Duke nisur nga 11 tetori, testi nuk do të jetë më falas por do të jetë me pagesë nga 35 deri në 50 euro.

Përjashtime do të ketë vetëm për fëmijët dhe ata që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore.

Për të arritur imunitetin e tufës, sipas virologëve duhet një kuotë vaksinimi në varësi të grupmoshës, deri në 85 përqind.

Ndonëse është rritur aktualisht ritmi i vaksinimeve, shifrat janë larg arritjes së objektivit. Numri i infeksioneve të reja për 100.000 banorë në shtatë ditë arriti në 56,4 ndërsa në disa qytete si në Leverkusen incidenca ka arritur në 200, pavarësisht vaksinimit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull