Komedia “Vdis duke qeshur”, në role me Luiza Xhuvanin, Zamira Kitën, Olta Dakun dhe artistë të rinj

4 Minuta Lexim

Komedia “Vdis duke qeshur” vjen si premierë në Korçë në ditët e fundit të muajit gusht. Vepra e autorit Paul Elliott me regji nga Ilir Bokshi bën bashkë aktorë të njohur të teatrit të Korçës, por dhe artistë të tjerë. Në rolet e shfaqjes janë Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Silvio Goskova e Paola Kodra. Puna për veprën premierë ka nisur para disa ditësh dhe vetë teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë në faqen e tij herë pas here ka publikuar materiale për punën, me komedinë teatrore “Vdis duke qeshur”. Premiera e komedisë do të jetë më datë 29 gusht, në festivalin “KokoFest” në Korçë. Vetë institucioni teatror shprehet se në një bashkëpunim të parë me teatrin është aktorja e njohur Luiza Xhuvani. “Kënaqësi që do të punojmë edhe njëherë me regjisorin Ilir Bokshi dhe aktoren Olta Daku! Kënaqësi, që në një bashkëpunim të parë me teatrin tonë vjen dhe aktorja Luiza Xhuvani!

Suksese edhe të rinjve tanë Paola dhe Silvio! Skenografia Beqo Nanaj”, shkruan në faqen e tij teatri. Shumë shpejt në skenën e teatrit të Korçës do të shfaqet komedia “Vdis duke qeshur”, me regji të Ilir Bokshit, i cili ka sjellë në skenë vepra të ndryshme. Ai studioi gjatë viteve 1993 – 1994 në Bukuresht, për Regjinë Teatrore në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit. Ilir Bokshi ka realizuar regji të shfaqjeve anembanë teatrove shqiptare. Mes titujve të veprave të tij në teatro përmendim “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj.

Aktorët në role

Në rolet e teatrit vijnë aktorë të njohur, që janë vlerësuar nga publiku. Në komedi me role janë dy aktoret e njohura dhe të dashura për publikun, Luiza Xhuvani dhe Olta Daku personazhet e të cilave do të zbulohen në premierë. Zamira Kita, një prej aktoreve më të mira të komedisë është pjesë e trupës artistike, që do të interpretojë komedinë “Vdis duke qeshur” me regji të Ilir Bokshi. Ajo do të luajë rolin e Leonës, një karakter shumë i bukur, që padyshim do të pëlqehet nga publiku. Institucioni shprehet se Silvio Goskova, një nga aktorët e rinj të teatrit do të luajë një karakter shumë të bukur dhe të spikatur. “Goskova ka realizuar mjaft role me trupa të ndryshme, siç është trupa e teatrit të Metropolit, Universitetit të Arteve, teatrit “A. Z. Çajupi”, etj. I urojmë shumë suksese aktorit tonë të ri, fitues i çmimit “Aktori më i mirë për rol të dytë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, zhvilluar nga Ministria e Kulturës, gjatë pandemisë”, bën me dije teatri.

Paola Kodra, një aktore e re por e suksesshme e teatrit “ Andon Zako Çajupi” do të interpretojë rolin e Rejçell, një vajzë plot ëndrra dhe pasione, por që ndesh pabesi e surpriza. Paola Kodra është vlerësuar disa herë në festivale të ndryshme teatrore dhe ka interpretuar me sukses, në skenën e Teatrit Kombëtar apo në skenën e teatrit të Metropolit në Tiranë. Komedia që mban titullin “Vdis duke qeshur” vjen në vijim të një aktivitetit artistik, që zhvillon teatri në qytetin e Korçës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull