Kulla C në kalanë e Durrësit, Margariti: Zbatuesit e projektit kanë realizuar stabilizimin emergjent

2 Minuta Lexim

Puna konservuese dhe përforcuese në Kullën C në kalanë e Durrësit po vazhdon. Ministrja e Kulturës Elva Margariti ditët e fundit shprehej se është një projekt, që ka dhe mbështetjen e ministrisë që ajo drejton. “Me gjithë temperaturat e nxehta vijon puna konservuese dhe përforcuese në Kullën C në kalanë e Durrësit, e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.

Një projekt që nisi me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve dhe Ministrisë të Kulturës”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook, që ka publikuar dhe foto nga puna që po vijon në Kullën C në kalanë e Durrësit. Ministrja bën me dije se janë bërë dhe një seri analizash, për ndërhyrjet që po bëhen në këtë objekt. “Zbatuesit e këtij projekti, CHwB Albania kanë realizuar tashmë stabilizimin emergjent me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në monument. E po ashtu një seri analizash, për të përcaktuar ndërhyrjet konservuese, që kanë nisur me konsolidimin dhe riparimin e murit të themeleve me teknika tradicionale”, vijon Margariti. Edhe më parë në postimet e saj ministrja e Kulturës Margariti ka vijuar me publikime të punës që po bëhen në Kullën C të kalasë së Durrësit, që është mes atyre objekteve të trashëgimisë kulturore që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit të 2019, në vendin tonë. Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit.

Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull