Lunxhëria nën pushtetin e flakëve dhe tymit, banorët lënë banesat dhe gjithçka

2 Minuta Lexim

Zona e Lunxhërisë në Gjirokastër është përfshirë nga zjarre të mëdha ditën e sotme, ku një person u gjet i djegur pas përpjekjeve për të shuar flakët.

Banorët janë detyruar të evakuohen vetëm me rrobat e trupit, duke lënë gjithçka pas nga frika se mos flakët do t’i përpijnë siç ka ndodhur me tokat e mbjella.

Ushtria dhe banorët janë bërë bashkë duke luftuar me flakët vetëm me mjete rrethanore, me kova uji.

Banorët po përballen me tmerrin e flakëve në Lunxhëri të Gjirokastrës, ndërsa është gjetur i djegur një burrë rreth 65 vjeç.

Ai së bashku me bashkëshorten, e cila është dërguar në spital në gjendje të rëndë, po përpiqeshin të shuanin flakët në shtëpi.

Fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone po përballen me flakët. Forcat e ushtrisë dhe banorët po përdorin çdo mjet të mundshëm për t’i shuar, por flakët vijojnë të përhapen të favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Tashmë kërkohet ndihmë nga ajri pasi rrezikohen jetë njerëzish në atë zonë. Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile, gjithashtu në mbështetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën thirrje për bashkëpunim mes banorëve në zonat e prekura nga flakët. “U bëjmë thirrje banoreve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, tha ministri./Top Channel

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull