Pas sulmeve në Kabul, ku u vranë 13 ushtarë amerikanë e të paktën 72 civilë, presidenti amerikan, Joe Biden u betua se do të ketë shpagim. Ai iu drejtua me fjalë prekëse familjarëve të viktimave.
Dukshëm i prekur doli presidenti amerikan, Joe Biden para mikrofonit në Shtëpinë e Bardhë. Në fillim të fjalës së tij, ai nderoi viktimat e sulmeve të fundit terroriste në aeroportin e Kabulit. 13 ushtarët humbën jetën në shërbim të lirisë dhe sigurisë. Ata janë “shtylla e Amerikës”, ashtu si të gjithë shokët e tyre, që ndodhen për SHBA në mision.
Më pas Biden iu drejtua familjarëve të viktimave me fjalë prekëse. Ai e di, që nga humbja e jetës së të birit, që pas misionit në Irak u sëmur nga kanceri dhe ndërroi jetë, se nga humbja e jetës së një njeriu të dashur duket sikur të tërheq një vrimë e thellë e zezë. Të rënët janë “heronj”, tha Biden.
“Nuk harrojmë. Nuk falim.”
Biden bëri përgjegjës për sulmet, ku u vranë të paktën 72 civilë dhe të paktën 140 vetë të tjerë u plagosën, degën afgane të milicisë xhihadiste “Shteti Islamik”, IS-K. K qëndron për “Khorasan”, një rajon historik në Azinë Qendrore, që përfshin edhe Afganistanin. Kjo degë është e armiqësuar me talibanët, sepse sipas qëndrimit të tyre ata janë “tradhtarë”, pasi kanë lidhur marrëveshje me fuqitë perëndimore.
Biden iu drejtua organizatorëve të vrasjeve. “Ne nuk do të harrojmë. Ne nuk do të falim. Ne do t’iu ndjekim deri sa t’iu gjejmë. Dhe atëherë ju do ta paguani këtë.” Presidenti amerikan i ka udhëzuar komandantët të sulmojnë pikat e IS-K, dhe po shqyrton me ushtrinë, se cilat janë mundësitë e një përgjigjeje ndaj këtyre atentateve.
Misioni i evaukimit vazhdon
Në të njëjtën kohë presidenti amerikan e mbështeti edhe njëherë misionin e evakuimit, sipas planit deri të martën. “Ne nuk do të ndalemi nga terroristët”, tha ai. Ishte e qartë, që misioni ishte i rrezikshëm, tha Biden. “Prandaj edhe unë këmbëngula që ai të ishte i kufizuar qartë në kohë.” I pyetur, nëse ishte ide e mirë që iu la talibanëve sigurimi përreth aeroportit, Biden tha se talibanët “definitivisht nuk janë burra të mirë”, SHBA nuk u beson. Por ne besojmë, se talibanët kanë vetë interes, që të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj ai beson, se talibanët edhe pas tërheqjes së trupave amerikane do të ndihmojnë në evakuimin e qytetarëve amerikanë dhe forcave afgane. Në të njëjtën kohë është e pamundur, të sjellësh jashtë vendit të gjithë ata që duan të largohen, tha Biden, duke ulur shpresat e mëdha për vazhdimin e misionit.
Përshpejtohet evakuimi i civilëve
Sipas të dhënave të qarqeve të sigurisë në aeroport, përpjekjet e evakuimit pas sulmeve të së enjtes u përforcuan natën. Një punonjës, që nuk donte të përmendej me emër, i tha Reuters, se avionët po startojnë e ulen në interval të rregullt dhe të shpeshtë. Norvegjia ndërkohë e ndërpreu evakuimin nga Kabuli për momentin. Ministrja e Jashtme, Ine Eriksen Soreide e tha këtë për televizionin TV2. Një zëdhënës i talibanëve tha, se nuk ka arsye për zgjatjen e afatit të evakuimit. Përveç kësaj talibanët do të ngrenë kulla kontrolli në të gjitha aeroportet e vendit./ DW