Nga Mimoza PICARI-
Korrupsioni në Shqipëri në fushën e prokurimeve publike i ka sjellë buxhetit të shtetit mbi 120 milionë dollarë dëm gjatë dekadës së fundit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave që analizon të dhënat e 129 njësive të adutimit. Përfaqësues të komunitetit të investitorëve sjellin për Zërin e Amerikës shembuj të disa proçedurave të tenderimit, ku sipas tyre ka hije dyshimi për paracaktim të fituesve. Ekspertët shprehen se problemi më i madh qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posaçme. Autoritetet shtetërore thonë se janë bërë përmirësime në fushën e prokurimeve, por ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin e publikut se problematikat janë të thella.
Në Shqipëri korrupsioni në fushën e prokurimeve publike është gjerësisht i përhapur, duke sjellë për pasojë dëmtim të konkurencës dhe të efektivitetit të përdorimit të fondeve publike. Sipas Ministrisë së Financave dhe KLSH demi ekonomik në fushën e prokurimeve që prej vitit 2012 llogaritet mbi 120 milionë dollarë, me një mesatare vjetore dëmi afërisht 13 milionë dollarë.
Kjo ka sjellë largim të investirove të huaj siç nnënvizohet edhe në raportin i disa ditëve më parë të DASH për klimën e investimeve. Investitorët thuhet në raport përmendin mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet më të mëdha. Ata ndeshen me pengesa të shumta në garat për tendera në sektorë të ndryshëm.
Artan Xhiani, drejtues i një kompanive private auditimi ndan me Zërin Amerikës përvojën e tij që lidhet me proçedurën e prokurimit të një tenderi për Auditim të Autoritetit Portual të Durrësit.
“Para dy vitesh autoriteti kontraktues midis kushteve të tjera vendos një kusht që ofertuesi duhet të ketë të punësuar minimumi 25 punonjës. Nëse i referohemi të shkuarës asnjëherë nuk ka patur kusht të tillë dhe asnjëherë nuk ka patur një problematikë të ngritur nëse mungesa e një personeli të tillë nga ana e ofertuesve të ketë krijuar ndonjë problematikë për autoritetin kontraktues. Gjithmonë shërbimi ka qenë i pranueshëm, dhe nuk ka patur ndonjë arsye përse të vendoset një kusht i tillë. Ne e kemi kundërshtuar këtë. Kemi kërkuar shpjegime dhe nga autoriteti kontraktues dhe nga Agjensia e Prokurimeve Publike dhe nuk u bë asgjë. Kemi theksuar, që këtu po bëhet një manovër, për të fituar tender një palë e caktuar”– tha për Zërin e Amerikës Artan Xhiani, eskpert kontabël, Studio Auditimi UHY ELITE.
Por ky nuk është rast i vetëm. Zoti Xhiani veçon dhe një tender ndërkombëtar të një autoriteti shtetëror, me shumë të konsiderueshme, afro10 milion Euro, për të cilin ka hije dyshimi për paracaktim të fituesit. Ai thotë se është vendosur një kusht që personeli i kompanive të huaja ofertuese, duhet të bëjnë ekuivalentimin e licensave profesionale ose diplomave sipas sistemit shqiptar.
Ky është një kusht normal shpejgon Z. Xhiani, por dyshimet lidhen me afatin 30 ditor për ekuivalentimin e tyre, kur siç thotë duhen minimumi 3 muaj. Zoti Xhiani shpjegon se kompanitë e huaja që hyjnë për herë të parë në garë dhe nuk kanë përfaqësi në Shqipëri, nuk mund ta arrijnë këtë afat, në ndryshim nga disa të tjera që operojnë prej kohësh në vend, dhe mund ta kenë kryer me herët këtë procedurë.
Autoritetet zyrtare nënvizojnë, se është bërë progres në mënjanimin e procedurave korruptive gjatë prokurimeve publike, duke vecuar dhe ndryshimet e fundit ligjore në ligjin e PP, por ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin e publikut se korrupsioni në këtë fushë është gjerësisht i përhapur.
Sipas të dhënave që Zëri i Amerikës siguroi nga Ministria e financave rezulton se që prej vitit 2012 dëmin më
të madh ekonomik në fushën e prokurimeve e kanë shkaktuar Ministritë përjashtuar ato pa portofol, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë ndjekur nga Institucionet qëndrore, si Dretjtoria e Përgjthshme e Tatimeve, ajo e doganave dhe agjensitë në varësi të Ministrive, me mbi 12 milionë dollarë, për të vijuar me qendrat spitalore, bashkitë dhe shoqëritë aksionere.
Problematika nuk është e panjohur për drejtuesit e vendit. Kryeminstri Edi Rama gjatë një takimi me drejtues të Ministrive dhe disa institucioneve shtetërore, tha se në 18 muajt e fundit janë kontrolluar mbi 900 procedura prokurimi publik dhe shtoi se 70% e tyre janë problemtike në hartimin e kritereve.
“Në problematikën e prokurimeve armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e pjesmarrjes, dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurencës së operatorëve ekonomikë në proçedurat e prokurimit publik. Nga 25 institucione, 21 prej tyre 30-50% të proçedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik edhe pse gara ka qenë e hapur”- u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Por ekspertët janë dyshues ndaj qëndrimeve kritike të Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me proçedurat e prokurimeve publike dhe shohin tek ai përpjekje për të shmangur përgjegjësinë direkte.
“Të gjitha shkeljet vijnë nga lart. Varet sa e madhe është shkelja Kryeministri ka dhe një sistem kontrolli zinxhir. Ai i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit, që dhe kur një titullar institucioni ka vënë nën kontroll gjithë zinxhirin e vet, kryeministri përdor instrumentat e jashtëm, si Agjensia e Prokurimit Publik, Inspektimi Financiar, Antikorrupsioni, nëse do që të ndëshkojë dikë. Për mendimin tim këto gjërat e mëdha janë shmangie përgjegjësie”- tha për Zërin e Amerikës Azmi Stringa, Pedagog i financës në Universtetin e NY, Tiranë.
Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se, defeket më të mëdha të sistemit nuk qëndrojnë tek tenderimet me një operator në garë, sic tenton ta paraqesë kryeministri. Sipas saj këto tendera janë karakteristike për shuma të vogla.
Problemi shpjegon Znj. Brahaj qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posacme, apo në tenderat e disa institucioneve të sektorit të infrastrukturës, si Autoriteti shqiptar i rrugëve dhe fondi shqiptar i zhvillimit. Më tej Zonja Brahaj i referohet tenderit të uniformave të policisë që sot po hetohet nga SPAK, i cili ka një vlerë të fondit limit mbi 20 milion euro.
“Kryeministri po bie në përsëritje, sepse ka qenë po qeveria e tij sapo mori mandatin e dytë qeversiës, e cila për të pakësuar korrupsionin dhe për të rritur efiçensën e tenderime në garë krijoi Agjensivë e Blerjeve të Përqendruara. Ky institucion do të bënte blerje në të gjitha nivelet e ekzekutivit, dhe këto blerje do të garantonin një proçedurë më profesionale të skanimit dhe të vlerësimit. Çfarë ndodhi. Është pikërisht kjo agjensi e cila është shpartalluar tashmë me një hetim të vetëm nga SPAK”– u shpreh për Zërin e Amerikës Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania.
Edhe KLSH ka vërejtuar mangësi të shumta në proçedurat e tenderimit të Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara, që lidhen me një konkurencë minimale dhe disa proçedura prokurimi ku janë skualifikuar operatorë, të cilët kanë pasur ofertat ekonomike në vlerë më të ulët se, vlera e ofertave të operatorëve të shpallur fitues.
Zëri i Amerikës ju drejtua dhe zyrës së shtypit pranë Kryeminstrit për një intervistë me një prej autoriteteve përgjegjëse, mbi këto problematika por nuk mori përgjigje. Ekspertët vërejnë me shqetësim se vlerat e dëmeve në dekadën e fundit nga prokurimet publike janë të larta për një vend si Shqipëria, ku ritmet e rritjes ekonomike janë të ngadalta, borxhi publik i lartë dhe parashikimet për të ardhmen janë ende të paqarta si pasojë e vështirësive që po shkakton Pandemia e COVID-19.