Pse mbetet ende shumë aktuale, “Ferma e kafshëve” e George Orwellit

8 Minuta Lexim

Nga Mark SATTA-

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, në gushtin e vitit 1946, në SHBA u botua libri “Ferma e kafshëve” e shkrimtarit britanik Xhorxh Oruell. Rezultoi një sukses i madh, me mbi gjysmë milioni kopje të shitura që në vitin e parë. Libri u pasua 3 vjet më vonë nga një sukses edhe më i madh, romani distopian “1984”.

Në vitet që pasuan, shkrimet e Oruell lanë një shenjë të pashlyeshme në mendimin dhe kulturën amerikane. Shitjet e këtyre 2 librave u rritën sërish në vitin 2013 kur Eduard Snouden zbuloi dokumente konfidenciale nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve

të Bashkuara (NSA).

Po ashtu “1984“ u ngjit në krye të listës së librave të shitur nga “Amazon”, pas hyrjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017. Si profesor i filozofisë, unë jam i interesuar të analizoj sesi idetë e Oruell mbeten aktuale edhe sot, përfshirë ato mbi totalitarizmin dhe socializmin.

Karriera e hershme

Xhorxh Oruell ishte pseudonimi i Erik Bler. I lindur në vitin 1903 në Indinë koloniale, Bler

u transferua më vonë në Angli, ku falë disa bursave ndoqi shkollat ​​më elitare të vendit. Pas mbarimit të shkollës, u bë një zyrtar shtetëror britanik, dhe punoi në Burma (sot Mianmari). Në moshën 24 vjeçare, Oruell u rikthye në Angli për t’u bërë shkrimtar. Gjatë viteve 1930, ai pati një sukses modest si eseist, gazetar dhe romancier. Në atë kohë shërbeu si një ushtar vullnetar në një milici të krahut të majtë, që luftoi përkrah republikanëve gjatë Luftës Civile në Spanjë.

Gjatë atij konflikti, Oruell e kuptoi nga afër se si propaganda mund të diktonte narrativat politike, dhe e bëri këtë duke vëzhguar rrëfimet e pasakta të ngjarjeve, të cilat ai i kishte përjetuar si dëshmitar okular.

Më vonë ai e përmblodhi me këtë fjali kuptimin e shkrimeve të tij nga Lufta Civile Spanjolle:”Çdo shkrim serioz që kam shkruar që nga viti 1936 është drejtuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kundër totalitarizmit, dhe në favor të socializmit demokratik”.

Po çfarë është totalitarizmi?

Për Oruell, totalitarizmi ishte një rend politik i përqendruar tek pushteti dhe kontrolli i tij. Kjo ide shtjellohet nga antagonisti në librin “1984”, O’Brajan. Ky personazh imagjinar, është një zyrtar i fuqishëm qeveritar, që e përdor torturën dhe manipulimin për të kontrolluar mendimet dhe veprimeve të protagonistit, Uinston Smith.

O’Brajan e trajton dëshirën e tij për pushtet si një synim në vetvete. Ai është një përfaqësim i fuqisë për hir të vetë pushtetit. Shumë nga idetë kryesore të Oruell, kanë të bëjnë me atë me të cilën totalitarizmi është i papajtueshëm.

Në esenë e tij të vitit 1941, “Luani dhe njëbrirëshi: Socializmi anglez dhe gjeniu”, Oruell flet për “idenë totalitare, sipas së cilës nuk ekziston një gjë e tillë si ligji, por vetëm pushteti…”. Me fjalë të tjera, ligjet mund të kufizojnë fuqinë e një sundimtari.

Nga ana tjetër, totalitarizmi synon të zhdukë kufijtë e ligjit, përmes një ushtrimi të pacipë të pushtetit. Ngjashëm, në esenë e tij të vitit 1942 “Duke parë në retrospektivë luftën spanjolle”, Oruell argumenton se totalitarizmi synon të mohojë ekzistencën e fakteve neutrale dhe të vërtetës objektive.

Oruell e identifikon lirinë dhe të vërtetën si “garancitë” kundër totalitarizmit. Ushtrimi i lirisë dhe njohja e së vërtetës, janë të papajtueshme me kontrollin total të centralizuar që imponon totalitarizmi. Oruell e kuptoi se totalitarizmi mund të gjendet në politikë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë.

Për Oruellin, nazizmi dhe komunizmi ishin totalitariste. Për mendimit tim, vepra e tij na sfidon që t’i rezistojmë tundimit për t’i lejuar udhëheqësit të kenë sjellje totalitare, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Gjithashtu ajo na kujton se disa nga mjetet më

të mira që kemi në dispozicion për t’i rezistuar totalitarizmit, janë thënia e të vërtetës dhe ruajtja e lirisë.

Çfarë është socializmi demokratik?

Në librin e tij të vitit 1937  “Rruga drejt skeles Uigan”, Oruell shkruan se socializëm do të thotë “drejtësi dhe liri”. Drejtësia së cilës i referohet ai, shkon përtej drejtësisë së thjeshtë ekonomike. Ajo përfshin gjithashtu drejtësinë sociale dhe politike.

Oruell e shpjegon më në detaje se çfarë nënkupton me socializëm tek “Luani dhe njëbrirëshi”. Sipas tij, socializmi kërkon “barazinë e përafërt të të ardhurave, demokracinë politike, dhe heqjen e të gjitha privilegjeve trashëgimore, sidomos në arsim”.

Duke specifikuar se çfarë nënkupton me “barazinë e përafërt të të ardhurave”, Oruell thotë më vonë në të njëjtën ese, se diferenca në të ardhura nuk duhet ta kalojë raportin 10 me 1. Duke e interpretuar këtë ide nga perspektiva e sotme, mund të thuhet se Oruell do

ta konsideronte etike që presidenti i një kompanie të fitojë 10 herë më shumë se sa punonjësit e tij, por jo 300 herë më shumë, siç ndodh sot mesatarisht në Shtetet e Bashkuara.

Por në përshkrimin e socializmit, Oruell nuk merret vetëm me pabarazinë ekonomike. Shkrimet e Oruell tregojnë se koncepti i tij i preferuar i socializmit, dikton gjithashtu “demokracinë politike”. Siç  e vë në dukje studiuesi Dejvid Douan, Oruell dallon “dy koncepte të demokracisë’.

E para i referohet fuqisë politike në dispozicion të njerëzve të zakonshëm. E dyta ka të bëjë me liritë liberale klasike, siç është ajo e mendimit. Të dyja konceptet e demokracisë duken të rëndësishme, për atë që Oruell nënkupton me socializmin demokratik.

Për Oruell, socializmi demokratik është një rend politik që siguron barazi sociale dhe ekonomike, duke e ruajtur gjithashtu lirinë e fortë personale. Unë besoj se përshkrimi i Oruell mbi socializmin demokratik, si dhe pranimi prej tij, se socializmi mund të marrë forma të ndryshme, mbeten të rëndësishme ende sot, pasi debati politik mbi socializmin në Shtetet e Bashkuara anashkalon shpesh shumë prej nuancave që përfshin në debat Oruelli.

Për shembull, shumë shpesh amerikanët e ngatërrojnë socializmin me komunizmin. Oruell na ndihmon të sqarojmë ndryshimin midis këtyre termave. Duke pasur parasysh nivelet e larta të pabarazisë ekonomike, sulmet politike ndaj së vërtetës dhe shqetësimet e reja mbi totalitarizmin, idetë e Oruell mbeten po aq të rëndësishme sot sa ishin 75 vjet më parë. / “The Conversation” – Bota.al

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull