QKMB: Eja në Berat, vizito muzeun “Onufri” dhe Etnografik

2 Minuta Lexim

Muzeu ikonografik “Onufri” dhe ai Etnografik në Berat janë vende, ku vizitorët nuk mungojnë Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shkruan se janë destinacione me interes për vizitorët dhe bën një ftesë për ti vizituar.“Eja në Berat! Vizito muzeun ikonografik “Onufri” dhe muzeun Etnografik! Muzetë e Beratit përditë e më shumë po gjallërohen nga vizitorët e shumtë në këto ditë të verës. Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe muzeu Etnografik janë destinacione, ku çdokush që vjen në Berat kërkon ti vizitojë”, shkruan QKMB në një status në faqen e saj. Berati, “qyteti i një mbi një dritareve” është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, që nga 2008. Një vizatim i bërë së fundmi për Beratin është dhe nga Arben Biçoku.

Muzeu “Onufri” dhe ai Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare. Muzeu “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Muzeu Etnografik ndodhet, në zonën e mbrojtur shume pranë qendrës historike (lagjeve Mangalem, Kala). Ai është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit me dy kate me çardak në një krah, ndërtuar në fillim të shekullit XVIII. Vëmendje kryesore në këtë banese i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit, që zë tërësisht katin përdhes dhe çardakut në katin e sipërm.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull