Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat britanike “The Sunday Times”, ku ka folur për strehimin e refugjatëve afganë në vend. Ai wshtw shprehur se evakuuimi nuk po ndodh sipas planifikimit, pasi sipas tij, në Afganistan nuk ka një koordinues dhe se nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh për evakuimin dhe secili shtet po punon për veten.
“Duket se nuk ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten! Shumë shtete po kërkojnë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk e dinë kujt t’i drejtohen. Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk jeni një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullta. Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar.”- tha Rama.
Rama ka deklaruar më tej se shqiptarët ishin afganët 30 vite më parë, ndërsa u përpoqën që t’i shpëtonin regjimit të asaj kohe. Rama tha ai ndjen përgjegjësisë e tij për t’i strehuar, duke shtuar se ne si vend kemi pasur luftën në derë dhe se kemi parë njerëz të vrarë.
“Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane“, tha ai, duke shtuar se “për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë. Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë.”- tha Rama.
“Për ne është shumë e qartë”. Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë! Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, shtoi ai.