Shpronësohen “Sarajet”, ndërtesa kalon në Bashkinë e Tiranës

2 Minuta Lexim

Godina e Sarajeve të Toptanëve është shpronësuar. Monumenti i kulturës së kategorisë së parë ka kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Ky vendim për godinën monument kulture vjen pak ditë pas rënies nga zjarri. Qeveria vendosi të pranojë kërkesën e Bashkisë së Tiranës për shpronësimin e pronarëve të godinës e truallit dhe kthimin e saj në muze. “Agjencia Shtetërore për Shpronësimin shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Restaurimi dhe rijetësimi i “Sarajet e Libohovitëve”, Muzeu Etnografik i Tiranës”. Subjekti kërkues i këtij projekti është Bashkia Tiranë. Vlera totale paraprake e shpronësimit është 505 843 802 lekë”, lexohet në njoftim. Kujtojmë se “Sarajet” që janë monument kulture kategoria e parë u përfshinë nga flakët mesnatën e 17 gushtit, duke shkaktuar dëme materiale.

Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj. Zjarri te “Sarajet” në Tiranë ka sjellë reagime të shumta nga specialistët që kërkonin mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë. “Sarajet” e Toptanasve, ndërtesë e shekullit XIX, për vlerat arkitektonike dhe historike u shpall në vitin 1973, monument kulture e kategoria e parë. Sarajet janë ndërtuar rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Në fazën e parë kanë qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë një ramëshe druri. Në fazën e dytë, në fillim të shekullit XX, u bë një rikostruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull