Nga Minella KURETA –
U mbushën 98 vjet nga dita kur në Qytetin e vogël të Delvinës lindi Ai , që do bënte epokë. Epokën e Artit dhe në veçanti atë të Koreografisë Shqiptare i madhi Panajot Kanaçi.
Z. Panajot Kanaçi hyn në figurat historike dhe nga më të rëndësishmit , madje themeluesi dhe drejtuesi kryesor i artit Koreografik Shqiptar.
Ai është pionieri, inisiatori dhe koreografi i parë i këtij vendi, që me pasionin dhe përkushtimin e tij, me talentin gjenial që i kishte dhuruar Zoti dha një kontribut nga më të vyerit për pasurimin dhe ngritjen e Artit Koreografik Shqiptar në maja që nuk i kish njohur kurrë. I madhi Panajot Kanaçi jo vetëm që e krijoi dhe vendosi gurthemelet e këtij arti, por u bë promotori kryesor dhe i pazëvëndësueshëm për krijimin dhe promovimin e artit koreografik Shqiptar. Këtë mision Ai e realizoi falë një përkushtimi të jashtëzakonshme dhe me kulturë të lartë profesionale dhe me talentin e një ylli të Artë të Akademisë më të madhe Botërore duke e dominuar e ngritur në piedestal skenën koreografike Shqiptare sa të çuditë dhe kombet e tjera reth 40 vjet papushuar.
Kontributi i tij i pashoq, përfshin një spektër mjaft të gjërë, duke nisur që nga kultivimi, përpunimi dhe rikrijimi i strukturave kompozicionale të valles dhe kërcimit etnik Shqiptar, që në shfaqet e para të Filharmonisë Shqiptare me ” Flamuri i Paqes” , dhe ” Vëllazërimi i Popujve” në vitin 1950. Në vitin 1963 realizoi Baletin e parë Shqiptar ” Halili dhe Hajria ” dhe që do të vazhdonte dhe me pesë balete të tjera njëri më i bukur se tjetri dhe e plotëson misionin e tij me çeljen e Katedrës së Koreografisë Shqiptare ku jepte mësim edhe vetë deri sa ndëroi jetë.
Por momentet monumentale të krijimtarisë së tij mbeten krijimet e reth 400 valleve popullore me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe me shumë ansamble të tjera që nga Ansambli i Ushtrisë, Ansambli ” Migjeni” që në atë kohë kishte aritur maja, Ansamble të Shkollës së Baletit, Akademisë së Arteve, Universitetit, dhe shumë të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etje. Vallet apo krijimet koreografike të tij, si ” Festë të madhe ka sot Shqipëria” , ” Kreshnikët e Lirisë” , ” Vallëzimi i Shqipeve” , Vallen ” Në garë” , ” Trio me daulle” , ” Mal e ngritëm lumturinë” , ” Shqipja jonë në flamur” , ” Gjithmonë festë” , ” Diell në Devoll” , ” Vallja Labe” , ” Vjelja e mollëve” , ” Krah për Krah” , e dhjetra e qindra të tjera. Padyshim që ai ka meritën kryesore për ngritjen e Ansamblit Kombëtar Shqiptar në një krenari të gjithë Shqiptarizmit, nga më të mirët në botë që nga vitet 1960 deri në 1990 , duke i sjellë Shqipërisë me dhjetra trofe nderi e çmime të para deri tek Gjerdani i Artë i Dizhonit të Francës.
Maestro Kanaçi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pregatitjen e brezave të rinj dhe sidomos në skalitjen e figurave të mëdha të solistëve të valleve si Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, Liljana Cingu, Enver Birko etje. Panajot Kanaçi me kontributin dhe talentin e jashtëzakonshëm të tij i ka dhënë kaq pasuri e vlera kombëtare Shqipërisë sa e ka lartësuar e krahasuar me majat e artit botëror që sot janë nga më kryevlerat në panteonin e kolosëve të artit dhe kulturës kombëtare Shqiptare.
Prandaj duke e kujtuar ne duhet të ngrehim dhe zërin që ky korife me kaq pasuri e vlera të trashëgimisë kulturore Shqiptare , ende nuk është sot Nderi i Kombit edhe pse e kemi propozuar tre herë. Ka dy buste dhe nuk i vendoset asnjë.
I kemi propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës për vendosjen e një monumenti të madh të Panajot Kanaçit dhe Çesk Zadesë në hyrje të artistëve që sa herë që hyjnë ti thonë mirmëngjesi idhujve, profesorëve dhe kryevlerav të kombit që dhanë gjithçka për këtë komb.