Strehimi i afganëve, Rama: Ja sa kohë do të rrinë në Shqipëri

1 Minuta Lexim

Kryeministri Edi Rama konfirmoi dje se Shqipëria është e gatshme të strehojë afganët, jeta e të cilëve rrezikohet nga talebanët, pasi bashkëpunuan me koalicionin anti-terror që prej 20 vjetësh veproi në Afganistan. Njoftimin Rama e dha përmes rrjeteve sociale, atje ku edhe replikon me ndjekësit dhe hera herës zbulon ndonjë detaj.

Nuk është hera e parë që vendime të tilla të rëndësishme Rama i jep nëpërmjet rrjeteve. E njëjta gjë ndodhi në muajt e parë të pandemisë ku aktet normative, që kufizonin lëvizjen e qytetarëve njoftoheshin nga rrjetet sociale, më pas botoheshin në Fletoren Zyrtare.

Së fundmi në replikë me një qytetare, Rama ka zbuluar se afganët që do të vijnë në Shqipëri nuk do të qëndrojnë këtu, por do të largohen në SHBA sapo t’u jetë bërë dokumentacioni për të jetuar atje.

“Ata nuk do të qëndrojnë në Shqipëri po do të largohen për në SHBA pasi t’u jetë bërë i gjithë dokumentacioni për të jetuar atje”, shkruan Rama.

Këto informacione Rama i ka dhënë gjatë një replike me një komentues në FB, teksa qytetarja e kritikon kryeministrin se Shqipëria nuk mund të marrë përsipër emergjenca të shteteve të tjera kur dhe vetë është në emergjencë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull