Ujdi me talibanët për të stabilizuar Afganistanin. Këtë e dëgjoi shpesh ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë vizitës së tij disa ditore në rajon. E pashmangshme, mendon Christoph Hasselbach.
Realitetin e ri e ndjeu shumë shpejt ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas që përfundoi një vizitë disa ditore në rajon. I njëjti ministër i Jashtëm, që para disa javëve kishte përjashtuar marrjen e shpejtë të pushtetit nga talibanët, tani përpiqet për një ujdi me fituesit. “Nuk ka rrugë tjetër që i anashkalon bisedimet me talibanët.” Sepse “nuk duam destabilizim në Afganistan”, tha Maas në Doha, gjatë vizitës së tij disa ditore në rajon.
Madje shihet si e mundur edhe hapja e ambasadës gjermane në Kabul. Ministri i Jashtëm nxiton të thotë, se kjo nuk do të thotë njohje nga ana e së drejtës ndërkombëtare e talibanëve. Por edhe fraza të tilla nuk mund ta fshehin pafuqinë. Si gjithmonë dilema e vjetër: Nëse do të duhet të kesh një lloj ndikimi në një vend, edhe sikur të jetë ndihmë humanitare, duhet të kesh kontakt me ata që e kontrollojnë vendin. Pavarësisht se çfarë mendimi ke për ta.
Frika nga fluksi i refugjatëve
Të kthehemi tek argumentimi i Heiko Maas për bisedimet me talibanët: nuk duam të kemi destabilizim në Afganistan. Kjo tingëllon njëherë si kulmi i hipokrizisë. Stabilitet nën islamistët e epokës së gurit është më mirë se anarkia? Por pikërisht argumentin e stabilitetit e dëgjoi shpesh ministri i Jashtëm gjerman gjatë vizitës së tij në rajon. “Nuk duhet të lejojmë një kolaps ekonomik. Kjo nuk do të ishte në interes të askujt”, paralajmëroi ministri i Jashtëm i Pakistanit, Sheiku Mehmood Quereshi.
Quereshi kur thotë këtë ka parasysh valët e refugjatëve. Pakistani ka një kufi prej 2500 kilometrash me Afganistanin. Kjo është frika e madhe, jo vetëm në Islamabad, por edhe në Teheran, Ankara, Berlin dhe kryeqytete të tjera europiane.
Jo më situatë si ajo në vitin 2015
Në fushatën zgjedhore kandidati i Unionit CDU/CSU, Armin Laschet duke iu referuar Afganistanit paralajmëroi se një situatë si ajo në vitin 2015, kur brenda disa muajsh erdhën disa qindra mjëra refugjatë në vend shumica nga Siria, “nuk duhet të përsëritet.” Vetëm valë të reja refugjatësh të mos ketë, këtë qëndrim e kanë shumica e vendeve europiane; Në Francë, ku vitin e ardhshëm në zgjedhjet presidenciale, kandidatja, Marine Le Pen sërish mund të fitojë pikë me temën e migracionit; në Danimarkë, ku socialdemokratët ndjekin një politikë të ashpër të azilit; në Austri, vendin që nuk do të marrë as edhe një refugjat të vetëm; në të gjitha vendet europiano lindore e qendrore, që refuzojnë çdo lloj shpërndarjeje të refugjatëve. Në këtë mënyrë stabiliteti në Afganistan kthehet në interes superior.
Hapësira e veprimit për Gjermaninë mbetet e vogël
Megjithatë jo me çdo çmim. Heiko Maas shpreson, që talibanët mund të lëvizin nga qëndrimet e tyre e të bëjnë lëshime në lidhje me të drejtat e njeriut, nëse përdoret instrumenti i ndihmës ekonomike. Por ky është një instrument pa levë të gjatë. Talibanët mund të paraqiten të iluminuar për aq kohë sa kanë qasje në fondet perëndimore. Nëse ata vërtet kanë ndryshuar, siç i tha edhe ministri i Jashtëm pakistanez homologut gjerman, mbetet vetëm të shpresohet për momentin. Vende si Kina apo Rusia nuk i vendosin kritere morale Kabulit.
Hapësira e veprimit për diplomacinë gjermane mbetet e ngushtë. Një fund i hidhur: Gjermania së bashku me të tjerët i dëboi talibanët para 20 vjetësh dhe donte të sillte demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Afganistan. Tani ministri i Jashtëm kërkon të arrijë ujdi me pushtetarët e vjetër e të rinj për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Rrugë tjetër nuk ka mbetur./DW