Lezha u trondit sot nga vrasja e Oficerit të policisë Kriminale Saimir Hoxha, nga 21-vjeçari Aldi Rama. I ftuar në “Radarin Informativ”, gazetari investigativ Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja rreth kësaj ngjarje të rëndë ku ka shpjeguar edhe të gjithë dinamikën e vrasjes.
Fillimisht u raportua se 21-vjeçari Aldi Rama pasi e pa të pamundur arratisjen nga policia që e kishte rrethuar, tentoi t’i japë fund jetës duke qëlluar veten por mbeti i plagosur rëndë. Lidhur me këtë veprim gazetari Artan Hoxha tregon se i riu ekziston mundësia që të ketë qëlluar aksidentalisht mbi veten dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas Artan Hoxhës, në vendin e ngjarjes pranë trupit të 21-vjeçari janë gjetur gjurmë rrëshqitje, çka do të thotë se Aldi Rama në tentativë për tu larguar ka rrëshqitur dhe për pasojë ka marrë një plumb në zonën e ballit. Mësohet se RENEA ka hedhur shpesh herë granata çorientuese për të bërë të mundur lokalizimin e të riut. Në këto momente një Snajper i RENEA-s ka identifikuar Aldi Ramën dhe e ka mbajtur nënë vëzhgim. Duke qenë nën trysnin e rrethimit nga policia Aldi Rama ka qëlluar me armë një herë ndërsa më pas ka lëvizur nga vendi ku ishte fshehur. Gjatë kësaj lëvizje ai ka rrëshqitur në buzë të një kanali dhe për pasojë arma është shkrehur duke i shkaktuar plagën anash ballit.
Ndër të tjera gazetari Artan Hoxha raporton se i riu Aldi Rama duhet të ishte në shtëpi pasi ishte nën efektin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”./ABC News