Gjeneral Milley: Gjasa për luftë civile në Afganistan

2 Minuta Lexim

Afganistani “ka të ngjarë” të përfshihet nga lufta civile tha të shtunën një gjeneral i lartë amerikan, duke paralajmëruar se kushtet në të cilat ndodhet vendi mund të diktojnë një ringjallje të grupeve terroriste.

Talebanët pushtuan Afganistanin falë një fushate rrufe, ndërsa forcat amerikane po tërhiqeshin nga vendi. Grupi i islamistëve të vijës së ashpër është kundërshtuar vetëm nga provinca veriore Panjshir.

“Sipas vlerësimit tim, ka të ngjarë të krijohen kushtet e një lufte civile”, tha për rrjetin televiziv “Fox New” Gjenerali Mark Milley, Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Ai ngriti pikëpyetje nëse talebanët, të cilët nuk kanë shpallur ende qeverinë, do të jenë në gjendje të konsolidojnë pushtetin dhe të vendosin një qeverisje efektive.

“Mendoj se ekziston të paktën një mundësi e mirë për një luftë më të gjerë civile, që më pas do të çojë në një ringjallje të al-Kaidës apo të ISIS-it e grupeve të tjera”, tha zoti Milley.

Vlerësimi i Gjeneralit Milly ishte i zymtë, duke theksuar se ai nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte më pas në Afganistan.

“Kushtet janë shumë të mundshme që mund të shohim një ringjallje të terrorizmit në atë rajon brenda 12, 24 apo 36 muajsh”, tha zoti Milley për Fox News.

Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin dhe rrëzuan regjimin e parë talebanë në vitin 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit nga al-Kaida, që strehohej në atë vend.

Qeveritë perëndimore druhen se Afganistani mund të bëhet përsëri një strehë për ekstremistët.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ruajnë disa kapacitete “të pranishme në rajon” për të goditur çdo kërcënim ndaj sigurisë që vjen nga Afganistani./VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull