Kurti refuzon takimin me Vuçiç: Serbia nuk mund të vazhdojë me avazin e vjetër

2 Minuta Lexim

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajcak përfundoi vizitën treditore në Kosovë, por nuk ia doli që të caktojë takimin e radhës mes liderëve. Lajccak sqaroi se debati mbi çështjen e arkivave është një keqkuptim dhe garantoi se bisedimet po shkojnë përpara.

MIROSLAV LAJCAK

I DERGUARI I BE PER DIALOGUN

“Nuk pati ndonjë diskutim të veçantë për arkivat dhe u habita nga debati që është ndezur në vendin tuaj për këtë çështje. Dua të konfirmoj se nuk ka pengesa nga asnjëra palë për qasje në arkiva dhe zëvendës kryeministri Bislimi e bëri të qartë se nuk ka arkiva të UÇK-së, ekziston vetëm arkivi shtetëror, kështu që nuk kishte asgjë befasuese, asnjë marrëveshje e veçantë, që disi u keqinterpretua në shoqërinë tuaj.”

Ndërsa kryeministri Albin Kurti deklaroi se Serbia po pengon bashkëpunimin në rajon me qëndrimin që po mban ndaj Kosovës dhe se në fakt është fqinji verior ai që duhet të ndryshojë kushtetutën e vjetëruar.

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I KOSOVES

“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi asnjë datë për takimin e ardhshëm, nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave dhe as reciprocitetin. Serbia insiston që të mos jetë fjala qytetar, territor, qeveri e as shtet as vend. Nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër siç ka ndodhur me qeveritë paraprake.”

Kryeministri Kurti bëri të ditur se u ka dërguar një letër udhëheqësve të shteteve europiane për t’i informuar mbi ato, që ai quan shkelje të Serbisë në marrëdhëniet tregtare me Kosovën. Kurti paralajmëroi vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nëse ajo nuk heq barrierat ndaj mallrave të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull