Kulti i individit si kult autoriteti, gjithmonë gjallon në mjediset e nënshtrimit, zhvillohet përmes shtypjes dhe egërsisë ndaj vartësve, karakterit fashist, psikologjikisht i ndjeshëm, me prirje instiktive antidemokratike…
Nga Romeo KARA –
Nese ka një deformim te sistemit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, i cili është pengmarrësi më i madh dhe pengesa më e madhe për t’u kapërcyer nga shqiptarët, në rrugen për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë liberale, ai është Kulti i Individit, idolizimi i drejtuesve politikë, të ngritur pareshtur hap pas hapi si gënjeshtra më e madhe, ushqyer nga media, propaganda, arti i manipuluar, spektaklet e porositura, pseudopatriotizmi etj.
Një makineri e tërë mashtrimi, pushtetare apo opozitare, alternuar sipas radhës, ka synuar vetëm krijimin e imazheve të idealizuara dhe heroikë, unikë dhe të papërsëritshëm të një udhëheqësi, i cili sigurisht më pas, e ka çuar kursin e qeverisjes drejt totalitarizmit dhe autoritarizmit.
Nën shembullin e kultit perandorak të Romës së lashtë, liderët tanë politikë të këtyre 30-viteve, pa llogaritur periudhën komuniste dhe atë monarkike, po e identifikojnë veten e tyre me autoritetin e hyjnor (auctoritas), duke u vetëservirur si të mbinatyrshëm dhe me mision të zbritur nga lart për drejtimin e vendit.
Përmes parimit të pashpallur të drejtës hyjnore të mbretërve, liderët tanë politikë, duan të na imponojnë tezën se, postin e pushtetarit, po e mbajnë me vullnetin e vetë Zotit dhe se për ne, ata janë vetë Zoti, duke i dhënë kultit të tyre formën e një feje politike.
Pikërisht ky lloj kulti, i referohet imazhit të idealizuar, madje edhe të ngjashëm me perëndinë, të një individi të formuar me vetëdije, përmes nje propagande konstante dhe agresioni mediatik, duke arritur si rezultat, manipulimin e të tjerëve, pavarësisht se në shumicën e rasteve, prononcimet e tyre publike, mund të jenë thjesht reklama imazhi tërësisht të cekëta e të pavlera.
Përgjithësisht, personat që e tentuan kultin e tyre tek ne, janë laikë, kryesisht meshkuj, megallomanë, predikues të rremë të sovranitetit popullor, pasi i adresohen të gjithë popullsisë dhe përdorues deri në shpërdorim të masmedias si dhe kontrollues të saj, për të mos lejuar rivalitetet e kulteve të tjera.
Duke ushqyer opinionin nëpërmjet lavdëruesve idiotë, mercenarë dhe servilë, ata u bënë baza e një patrionalizmi dhe klientelizmi, kundërshtarë të cdo disidence dhe fallsifikues të realitetit.
Kulti i individit prodhoi kryesisht patriarkë, baballarë të rremë kombi apo partie dhe jo liderë të mirëfilltë, prodhoi njerëz që të deformuar nga vetë propaganda e tyre, të cilët tashmë mendojnë se janë mbi palët, mbi ligjin dhe mbi të zakonshmen.
Ata funksionojnë vetëm nga lart poshtë, dhe jo në të kundërtën, duke qënë maja e piramidës së autoritetit.
Justifikimi i përgjithshëm për kultet e individit është se: ky udhëheqës është dashamirësi më i madh i kombit pa të cilin, transformimi në një të ardhme më të mirë nuk mund të ndodhë.
“Në funksion të kësaj të mire hyjnore, që ata po bëjnë dhe do të bëjnë për kombin”, ata nuk ngurojnë të kërkojnë dhe të ushtrojnë një pushtet të pavarur dhe të pa asnjë kufizim.
Ky pushtet atyre iu duhet për të ushtruar dhunën që e kanë në karakter, të rrisin autoritetin e tyre, të persekutojnë kundërshtarët dhe rivalët politikë, të censurojnë mediat, fjalën e lirë dhe sidomos të vërtetën të cilën e shohin si kërcënimin më të madh.
Ata pa përjashtim, kanë mbajtur dhe mbajnë një qëndrim armiqësor ndaj inteligjencës, duke i kundërvënë asaj, meskinitetin më vulgar të mundshëm dhe si kundërpeshë e portretizojnë veten si udhëheqës të gjithëdijshëm, të cilët në cdo rast kanë të drejtë.
Tashmë partitë politike shqiptare, dallohen për militantizmin dhe mungesën e plotë të njerësve të mendimit, të cilët as nuk ofrohen në to dhe as u jepet vendi dhe hapësira e duhur në administratë sipas parimit të meritokracisë, duke i shtyrë pareshtur drejt emigrimit.
Po, inteligjenca e vërtetë nuk mund të bashkëjetojë me kultin e individit, me kultin e errësirës.
Përgjithësisht, kulti i individit lidhet ngushtë me mitizimin dhe hyjnizimin, me gjeniun heroik, që po sakrifikon për kombin, gjë që është e domosdoshme për të lidhur pas vetes turmat e idhtarëve, të cilët sigurisht nuk janë nga radhët e besimtarëve të vërtetë.
Kulti i individit si kult autoriteti, gjithmonë gjallon në mjediset e nënshtrimit, zhvillohet permes shtypjes dhe egërsisë ndaj vartësve, karakterit fashist, psikologjikisht i ndjeshëm, me prirje instiktive antidemokratike, me një superego të rreptë, cinik, përbuzës i njerëzimit, dhe me një nevojë të përhershme për të ushtruar pushtet dhe për të qenë të ashpër, anti-intelektual, rezistent ndaj ndryshimeve shoqërore, politike dhe ekonomike, justifikues për pabarazinë shoqërore, me nevoja te theksuara psikologjike për të menaxhuar pasigurinë, kërcënimet dhe frikën.
Ky lloj udhëheqësi është parë dhe shihet nga ne, pavarësisht krahut politik, si i fortë, i pagabueshëm dhe çdo veprim kundër tij, shihet si një krim kundër shtetit, duke kerkuar dhe frymëzuar besnikëri dhe bindje nga ndjekësit dhe persekutim për kundërshtarët.
Ky lloj politikani vuan nga ndjenja e madhështisë.
Këtë gjë ai e bën kryesisht duke sfiduar dhe cënuar kufijtë e vendosur nga ligji dhe tradita, duke dashur t’i japë vetes portretin e revolucionarit.
Ky lloj politikani tenton pareshtur të kontrollojë tërësisht burokracinë, duke rrënuar besimin e publikut tek administrata shtetërore, simuluar armiqësitë, arrogancën dhe rritjen e dominimit të tij.
Forcimi i kultit të individit, padyshim që çon në narcizëm, arrogancë ekstreme dhe një nevojë personale egoiste për fuqi dhe admirim dhe përkushtim vetëm ndaj axhendave të tyre personale.
Kjo ka sjellë si pasojë shpërfytyrimin e tejskajshëm të anëtarësisë të thjeshtë të partive politike deri në zombizimin e tyre.
Turma të tëra milintantësh partiakë, rendin tashmë si të verbër pas liderëve të tyre, pa u angazhuar realisht si pjesë dinjitoze e një mendimi të organizuar politik.
Demokracia brenda partive tashmë është utopi dhe turmat, strukturat drejtuese dhe institucionet e tjera partiake, nxjerrin ndonjë fjalë vetëm kur iu preket interesi i tyre vetjak.
Gjithshka nëpër partitë tona politike fillon dhe mbaron tek kryetarët e tyre dhe anëtarësia ka të drejtë vetëm të garojë, se kush do t’i pëlqejë më shumë kryetarit të saj.
Kulti i individit është as më shumë e as më pak, kulti i zotave të rremë, kult i turmave pa zot, kult i cili bëhet hi vetëm në përballje me besimtarët e vërtetë.Kush e ka gjetur Zotin e Vërtetë nuk qorrollepset pas zotave të rremë.