Një sasi prej 17.380 euro janë sekuestruar pasditen e sotme në kufirin e Kapshticës, ndërkohë një 57 vjeçar disponues i tyre është proceduar penalisht pasi nuk i kishte deklaruar të hollat në kufi.
Bëhet fjalë për një shtetas me inicialet OM., banues në Bishqem, Peqin, i cili e kishte fshehur sasinë e parave në çantën e dorës.
Njoftimi i Policisë:
Kapshticë
Policia Kufitare godet një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Procedohet penalisht një shtetas.
Sekuestrohen 17.380 euro të padeklaruara.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll shtetasin O. M., në çantën personale së të cilit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17.380 euro, sasi të cilën nuk e kishte deklaruar.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj shtetasit O. M., 57 vjeç, banues në Bishqem, Peqin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.